16:09 / E Martë, 23 Prill 2019 / indeksADMonline

SHBA dëshiron të ndalojë plotësisht eksportin e naftës iraniane

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë bërë thirrje për pezullimin e plotë të shitjes së naftës iraniane tek importuesit kryesorë, si Kina dhe India, të cilat deri më tani janë përjashtuar nga sanksionet, raporton Anadolu Agency (AA).

Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, Mike Pompeo deklaroi se synojnë të ndalojnë eksportin iranian plotësisht, për të ushtruar presion mbi Teheranin për të kufizuar programin bërthamor, testimin e projektilëve dhe përfshirjen në konfliktet në Siri dhe Jemen.

Administrata e presidentit të SHBA-ve Donald Trump ka deklaruar se vazhdon të bashkëpunojë me eksportuesit kryesorë të naftës, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për të siguruar që tregu i naftës të jetë “mjaftueshëm i furnizuar”.

Washingtoni rivendosi sanksionet ndaj eksporteve të naftës iraniane në nëntor, pasiqë Trump në maj u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 në mes të Iranit dhe gjashtë fuqive botërore.

Trump, pas rivendsojes të sanksioneve, lejoi përjashtime për 8 importuesit kryesorë për një periudhë 6 mujore që përfundon në maj. Megjithatë, administrata amerikane ka thënë se nuk dëshiron të vazhdojë përjashtimin për 8 vendet që u liruan nga sanksionet ndaj Iranit.