ShBA dhe Kanada goditën nga stuhia dimërore, mijëra banorë mbesin pa energji elektrike

Një stuhi dimërore ka sjellë borë të madhe dhe akull në disa pjesë të ShBA-së dhe Kanadasë.
Më shumë se 145,000 njerëz janë pa energji elektrike në disa shtete juglindore dhe mijëra fluturime janë anuluar, shkruan BBC, transmeton Indeksonline.
Virxhinia, Xhorxhia, Karolina e Veriut dhe e Jugut, kanë shpallur të gjitha gjendje të jashtëzakonshme.
Shërbimi Kombëtar i Motit në ShBA (NWS) thotë se në disa zona priten më shumë se 30 cm borë.
Bora dhe akulli mund të rezultojnë në “udhëtime të rrezikshme, ndërprerje të energjisë elektrike dhe dëmtime të pemëve”, paralajmëron NWS.
Në anën tjetër, patrullat e autostradës raportuan qindra aksidente automjetesh, sipas agjencisë së lajmeve Associated Press.
Kishte gjithashtu parashikime për përmbytje të mundshme bregdetare në disa zona, duke përfshirë qytetin e Nju Jorkut dhe pjesë të Konektikatit, me paralajmërime se rrugët dhe infrastruktura mund të preken.
Në provincën Ontario të Kanadasë, e cila ndan kufirin me shtetin e Nju Jorkut, zyrtarët paralajmëruan për stuhi të dielën në mëngjes në pjesën më të madhe të jugut.
Në Toronto, kryeqyteti i provincës dhe qyteti më i madh i Kanadasë, parashikohet të bjerë 20 cm borë.
Më shumë se 3,000 fluturime në dhe jashtë ShBA-së u anuluan të dielën, sipas faqes së gjurmimit të të dhënave, FlightAware.
Aeroporti Ndërkombëtar “Charlotte Douglas” në Karolinën e Veriut ishte ndër më të goditurit, me pothuajse 90% të fluturimeve të anuluara dhe një mesazh në faqen e tij të internetit, ku u kërkoi pasagjerëve të kontrollonin linjat ajrore të tyre përpara se të udhëtonin drejt aeroportit.