10:57 / E Hënë, 10 Janar 2022 / k.v

SHBA dhe Rusia nisin javën e takimeve diplomatike

Delegacionet e Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë kanë nisur të hënën takimet diplomatike në Gjenevë, të cilat janë nxitur nga kërkesat e Moskës për marrëveshje rreth sigurisë dhe pozicionimin e trupave ruse afër Ukrainës.

Gjatë javës, zyrtarë të Perëndimit dhe ata rusë do të zhvillojnë edhe dy takime tjera në Bruksel dhe Vjenë.

Zyrtarët amerikanë dhe ata rusë janë takuar në një darkë pune më 9 janar në Gjenevë.

Zëvendës-Sekretarja amerikane e Shtetit, Wendy Sherman, e cila udhëheq delegacionin amerikan, është takuar me zëvendës-ministrin e Jashtëm rus, Seregei Ryabkov dhe zyrtarë tjerë rusë për dy orë në qytetin zviceran.

Diplomatët e lartë “kanë diskutuar temat të cilat do t’i adresojnë palët” në bisedimet kryesore, të cilat zhvillohen më 10 janar, ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, përmes një deklarate.

Bisedimet do të zhvillohen në kuadër të të ashtuquajturit Dialog për Strategji dhe Siguri, një grup punues i krijuar vitin e kaluar nga SHBA-ja dhe Rusia, me qëllim të fokusimit në kontrollin e armëve.

Bisedimet mes këtyre dy vendeve do t’ia lëshojnë rrugën një tjetër takimi që zhvillohet në kuadër të Këshillit NATO-Rusi në Bruksel, dhe një takimi tjetër në margjina të Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSCE), i cili mbahet në Vjenë po këtë javë.