ShBA dhe Rusia sot bisedojnë për tensionin në Ukrainë

Zyrtarët amerikanë dhe rusë janë takuar në Gjenevë për bisedime kritike mbi tensionet në rritje përreth Ukrainës.
Shqetësimet janë shtuar në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë për ngritjen ushtarake të Rusisë pranë kufirit të saj me Ukrainën, shkruan euronews.
Rusia po bën presion për një marrëveshje garancie që i ndalon Ukrainës bashkimin me aleancën ushtarake të NATO-s.
Një diplomat i lartë rus parashikoi bisedime “të vështira”, pasi mori pjesë në një darkë pune me zyrtarë amerikanë në Gjenevë të dielën mbrëma.
Megjithatë, SHBA thotë se nuk do të bëjë “asnjë angazhim të fortë” gjatë bisedimeve dhe se do të diskutohen vetëm çështjet e sigurisë.
Zëvendës-sekretarja e Shtetit, Wendy Sherman, tha se Shtetet e Bashkuara do të dëgjojnë shqetësimet e Rusisë dhe do të ndajnë shqetësimet e ShBA-së, por që në asnjë moment nuk do të diskutohet siguria evropiane pa prezencën e aleatëve të ShBA-së.
Ndërkohë, në Ukrainën lindore, trupat mbeten në gatishmëri të lartë, mes frikës nga një pushtim rus.
Javën e kaluar, kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, vizitoi rajonin e Donbasit.
Ishte udhëtimi i parë i një shefi të politikës së jashtme të BE-së atje që nga shpërthimi i konfliktit më 2014.
Uashingtoni dhe Moska kanë përjashtuar Brukselin nga bisedimet diplomatike që synojnë de-përshkallëzimin e situatës në kufirin mes Ukrainës dhe Rusisë.
Kjo gjë e ka irrituar Borrellin, i cili kishte thënë se nëse do të flitet për sigurinë në Evropë, atëherë në tavolinën e diskutimit duhet të jetë edhe Bashkimi Evropian dhe jo vetëm ShBA dhe Rusia.
Megjithatë, BE-ja nuk është e vetmja palë që ka mbetur jashtë bisedimeve që po zhvillohen në Gjenevë, pasi që as Ukraina nuk është ftuar.