75 Mall Live Search
08:26 / E Diele, 13 Mars 2022 / MSH

ShBA dhuron edhe 200 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën

Nga fondi i Shteteve të Bashkuara janë tërhequr edhe 200 milionë dollarë, të cilat do të dërgohen në Ukrainë, si ndihmë ushtarake.

Një gjë të tillë e ka urdhëruar Sekretari i Shtetit, Anthony Blinken.

“Unë kam autorizuar një tërheqje deri në 200 milionë dollarë për armë dhe pajisje shtesë për Ukrainën. Kjo tërheqje e katërt e paprecedentë në më pak se një vit do të sjellë ndihmën totale të sigurisë së ShBA-së të ofruar për Ukrainën në më shumë se 1.2 miliardë dollarë që nga janari 2021” ka shkruar Blinken në Twitter.

Sipas Blinken, kjo shumë do të ndihmojë Ukrainën të përballojë kërcënimet e blinduara, ajrore dhe të tjera me të cilat po përballet që nga pushtimi rus.

Sekretari i Shtetit deklaroi se ShBA do të vazhdojë të japë ndihma humanitare dhe të mbështesë popullin ukrainas.

“Ne gjithashtu do të vazhdojmë të ofrojmë ndihmë humanitare për ata që kanë nevojë dhe të mbështesim popullin e Ukrainës në luftën për vendin e tyre, përmes ndihmës së sigurisë dhe ekonomike. Komuniteti ndërkombëtar është i bashkuar dhe i vendosur për ta mbajtur Putinin përgjegjës” ka përfunduar ai.