SHBA embargo të plotë ekonomike ndaj Qeverisë së Venezuelës
Presidenti amerikan Donald Trump firmosi një urdhër të hënën për të ngrirë të gjitha pronat në SHBA që i përkasin Qeverisë së Venezuelës, që është një përshkallëzim domethënës i tensioneve me Karakasin, raporton Anadolu Agency (AA).
Urdhri i Trumpit më tej ndalon të gjitha transaksionet me zyrtarët e Venezuelës por bën përjashtim për ndihmat humanitare ndaj Venezuelës, përfshirë edhe transaksionet që ndërlidhen me sigurimin e ushqimit, veshmbathjes dhe medikamenteve.
Gjithashtu ka një përjashtim për biznesin zyrtar të qeverisë federale amerikane.
“Unë kam përcaktuar se është e nevojshme të bllokoni pronat e Qeverisë së Venezuelës për shkak të uzurpimit të vazhdueshëm të pushtetit nga regjimi i paligjshëm i Nicolas Maduro si dhe shkeljen e të drejtave të njeriut nga ana e regjimit, arrestimi dhe ndalimi arbitrar i shtetasve të Venezuelës, zvogëlimi i lirisë së mediave si dhe përpjekjet e vazhdueshme për të penguar presidentin e përkohshëm të Venezuelës, Juan Guaido”, shkroi Trump në një letër drejtuar Kongresit, duke iu referuar liderit të opozitës, të cilin Washingtoni e ka mbështetur në luftën për pushtet me presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro.
Administrata e Trumpit është fokusuar në masat ekonomike dhe diplomatike kundër Maduros, përfshirë edhe vendosjen e sanksioneve ndaj tij, zyrtarëve të tij më të lartë dhe disa departamenteve qeveritare pasi dëshiron të rrisë presionin që Maduro të tërhiqet nga posti.
Këtu janë përfshirë edhe sanksionet gjithëpërfshirëse të vendosura nga janari ndaj kompanisë shtetërore të naftës në Venezuelë, PDVSA.
Venezuela u trondit nga protestat që filluan më 10 janar, kur presidenti Maduro u betua për mandatin e dytë pas zgjedhjeve të bojkotuara nga opozita.
Tensionet u rritën më tej kur Guaido shpalli veten president të përkohshëm më 23 janar, mirëpo Maduro deri më tani ka refuzuar thirrjet për t’u tërhequr nga posti.
Ai ka akuzuar SHBA-të se kanë orkestruar grusht shteti kundër qeverisë së tij, duke thënë se është i hapur për bisedime me opozitën.
Rreth 5.000 persona braktisin Venezuelën çdo ditë për shkak të “jostabilitetit dhe paqartësisë” për shkak të krizës rreth presidentit dhe krizës ekonomike. Sipas të dhënave të agjencisë për refugjatë pranë OKB-së, Venezuelën që nga viti 2015 e kanë braktisur 3 milionë persona.
Rusia, Kina, Irani dhe Turqia mbështesin Maduron.
Spanja, Britania e Madhe, Franca, Suedia, Gjermania dhe Danimarka i janë bashkuar SHBA-ve, Kanadasë dhe disa shteteve të Amerikës Latine dhe kanë njohur Guaidon si president të përkohshëm të Venezuelës.