SHBA: Hamasi po e pengon armëpushimin në Gaza

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, tha se propozimi për një armëpushim në Gaza i paraqitur nga presidenti amerikan Joe Biden është “pothuajse identik me atë që Hamasi tha se do të pranonte vetëm disa javë më parë” dhe shtoi se Hamasi po pengon armëpushimin e menjëhershëm në Gaza.
Ai shtoi se SHBA-ja dhe ndërmjetësuesit e tjerë “nuk kanë marrë ende një përgjigje zyrtare për propozimin nga grupi militant”.
“Bota duhet ta di, populli palestinez duhet ta di, se e vetmja gjë që pengon një armëpushim të menjëhershëm është Hamasi”, tha Milleri.
Ai shtoi se kishte disa dallime midis propozimeve që Hamasi kishte thënë më parë se do t’i pranonte, por vuri në dukje se SHBA-ja, Katari dhe Egjipti mendonin se pengesat mund të hiqen.