SHBA/ Hapen zyrtarisht qendrat e votimit në tri shtete

Kjo e premte shënoi zyrtarisht edhe hapjen e qendrave të votimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.
Votimi i hershëm për të zgjedhur presidentin e ri të vendit ka nisur në Virxhinia, Minesota dhe në Dakotën e Jugut, një proces që pritet të zgjasë për 6 javë.
Duke nisur që nga mesi i muajit tetor, kjo formë e hershme votimi do të nisë edhe në 10 shtete të tjera amerikane.
Ekspertët politikë në SHBA thonë se këtë vit pritet të ketë një rritje të ndjeshme të votuesve të parakohshëm, një metodë kjo që ka fituar popullaritet të shtuar përgjatë viteve të fundit.
Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 më shumë se 69% e votuesve amerikan zgjodhën të shprehnin vullnetin e tyre politik me postë ose përmes votimit të hershëm, sipas të dhënave të cilat u mblodhën nga laboratori i Shkencës së të dhënave Zgjedhore në Institutin e teknologjisë së Masaçusetsit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përfshira në një fushatë presidenciale të ethshme mes dy kandidatëve, demokrates Kamala Harris dhe republikanit Donald Trump.
Një sondazh i fundit i Asocciated Press këtë të premte tregoi se qytetarët amerikanë besojnë se Donald Trump do të ishte një president më i mirë lidhur me çështje të tilla si ekonomia, emigracioni ilegal dhe menaxhimi i luftës Izrael-Hamas.
Nga ana tjetër, Kamala Harris shihet si një zgjedhje më e mirë lidhur me abortin, çështjet shëndetësore, të drejtën e armëmbajtjes për amerikanët dhe për ndryshimet klimatike.