13:14 / E Mërkurë, 20 Janar 2021 / Ensar Ramadani

SHBA-ja akuzon Kinën për ‘gjenocid’ të Ujgurëve dhe grupeve të pakicave në Xinjiang

Shtete e Bashkuara të Amerikës kanë përcaktuar zyrtarisht se Kina po kryen gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, kundër myslimanëve ujgurë dhe grupeve të pakicave etnike dhe fetare që jetojnë në rajonin veriperëndimor Xinjiang.

Kështu ka thënë sekretari i Shtetit i SHBA Mike Pompeo, shkruan CNN-i, transmeton Indeksonline.

“Ky gjenocid është duke vazhduar dhe ne jemi dëshmitarë të përpjekjes sistematike për të shkatërruar ujgurët nga partia-shtet kinez”, ka thënë Pompeo në një deklaratë të martën, në ditën e fundit të plotë të administratës Trump.

Gjithashtu, Pompeo ka thënë se nga marsi i vitit 2017, autoritetet lokale përshkallëzuan në mënyrë dramatike fushatën e tyre të shtypjes për dekada të gjata kundër myslimanëve ujgurë.

“Që të paktën nga marsi i vitit 2017, autoritetet lokale përshkallëzuan në mënyrë dramatike fushatën e tyre të shtypjes për dekada të gjata kundër myslimanëve ujgurë dhe anëtarëve të grupeve të tjera të pakicave etnike dhe fetare, duke përfshirë kazakët etnikë dhe Kirgistanët etnikë,” tha Pompeo.

Departamenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka vlerësuar më parë se deri në dy milionë ujgurë, si edhe anëtarë të grupeve të tjera të pakicave myslimane, janë arrestuar në një rrjet të gjerë të kampeve të internimit në rajon.

Ndërkaq, ish-të burgosurit e kampit të riedukimit i kanë thënë CNN-it se kishin përjetuar indoktrinim dhe abuzim politik brenda kampeve, të tilla si privimi i ushqimit dhe gjumit dhe injeksione të detyrueshme.

Raportimi i CNN-it gjithashtu ka zbuluar se disa gra ujgure u detyruan të përdornin kontrollin e lindjeve dhe t’i nënshtrohen sterilizimit si pjesë e një përpjekjeje të qëllimshme për të ulur normat e lindjeve midis pakicave në Xinjiang, transmeton Indeksonline.

Ndryshe, Kina mohon akuzat për abuzime të tilla të të drejtave të njeriut në Xinjiang.

Ajo ka insistuar që kampet e saj të riedukimit janë të nevojshme për parandalimin e ekstremizmit fetar dhe terrorizmit në zonë, e cila është shtëpia e rreth 11 milionë ujgurëve, një pakicë etnike kryesisht myslimane që flasin një gjuhë të lidhur ngushtë me turqishten dhe kanë kulturën e tyre të veçantë.

Deklarata e Departamentit të Shtetit nuk do të shkaktojë automatikisht ndëshkime të menjëhershme, por Peter Irwin, oficer i lartë i programit në Projektin e të drejtave të njeriut ujgur, tha se kjo do të kishte një ndikim të fuqishëm simbolik, si në SHBA, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Ndërsa, grupi i avokimit me qendër në Uashington, “Fushata për ujgurët”, e mirëpriti përcaktimin si një hap drejt drejtësisë.

“Siç do t’ju tregojë çdo viktimë, duke i parë sytë e bashkësisë botërore të na shohin dhe të pranojnë se tmerri ynë është i vërtetë, do të thotë gjithçka”, tha drejtori i CFU-së Rushan Abbas në një deklaratë të martën.

“Dënimi me 20 vjet burgim i motrës sime me akuza të rreme lidhet qartë me këtë qëllim gjenocid nga regjimi kinez. Ajo, dhe të gjithë ujgurët, meritojnë drejtësi”, shtoi ajo.

Sidoqoftë, njoftimi në orët e fundit të administratës Trump mund të komplikojë më tej qasjen dhe marrëdhëniet e administratës së Bidenit me Pekinin.

Presidenti i zgjedhur ka folur për abuzimet e të drejtave të njeriut të Kinës dhe në nëntor 2019 e quajti internimin masiv të myslimanëve ujgurë “ndër abuzimet më të këqija të të drejtave të njeriut në botë sot”.

“Shtetet e Bashkuara nuk mund të heshtin – ne duhet të flasim kundër kësaj shtypjeje dhe të mbrojmë pa pushim të drejtat e njeriut në të gjithë botën”, kishte shkruar Bideni në Twitter.

Në dhjetor, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë që dënon Kinën mbi akuzat për punë të detyruar. Qeveria britanike gjithashtu ka kritikuar Pekinin dhe ka thënë në fillim të këtij muaji se do të gjobisë kompanitë që fshehin lidhjet me Xinjiangun.

Masat e reja janë krijuar për të siguruar që të gjitha organizatat britanike “nuk janë bashkëpunëtore, ose nuk përfitojnë nga shkeljet e të drejtave të njeriut në Xinjiang”, sipas zyrës së jashtme të MB./CNN/Indeksonline