SHBA-ja akuzon liderët e lartë të Hamasit për vdekjen e amerikanëve në Izrael

Prokurorët federalë ngritën padi penale kundër udhëheqësve të lartë të Hamasit për vdekjen e të paktën 43 qytetarëve amerikanë në Izrael më 7 tetor 2023, sipas dokumenteve të akuzës të pavulosura të martën.
Militantët e udhëhequr nga Hamasi vranë më shumë se 1200 njerëz më 7 tetor dhe rrëmbyen rreth 250 individë në Izrael. Në dhjetor, Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland tha se Departamenti i Drejtësisë po hetonte sulmet, shrkuan CBSNews.
“Deri në datën e kësaj ankese, të paktën 43 shtetas amerikanë ishin në mesin e të vrarëve dhe të paktën dhjetë qytetarë amerikanë u morën peng ose mbeten të pagjetur”, thuhet në kallëzimin penal të paraqitur të hënën.
Prokurorët akuzuan gjashtë të pandehurit për sjellje që çuan në dhe pas sulmit të 7 tetorit, duke përfshirë terrorizmin, komplotin e vrasjeve dhe shmangien e sanksioneve. Të pandehurit u identifikuan si Yahya Sinwar, lideri i Hamasit; Ismail Haniyeh, ish-kryetar i Byrosë Politike të Hamasit; Mohammad Al-Masri, komandanti i përgjithshëm i Brigadave al-Qassam; Marwan Issa, zëvendëskomandant i Brigadave al-Qassam; Khaled Meshaal, kreu i zyrës së diasporës së Hamasit dhe Ali Baraka, kreu i Marrëdhënieve Kombëtare të Hamasit me Jashtë.
Haniyeh, Al-Masri dhe Issa janë të vdekur dhe tre të tjerët janë të lirë.
“Akuzat e zbuluara sot janë vetëm një pjesë e përpjekjeve tona për të synuar çdo aspekt të operacioneve të Hamasit. Këto veprime nuk do të jenë të fundit,” tha në një deklaratë Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland.
Të dielën, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë se gjashtë pengje të mbajtura nga Hamasi u gjetën të vdekur në Gaza, duke përfshirë izraelito-amerikanin Hersh Goldberg-Polin, i cili u varros të hënën. Zyrtarët izraelitë thanë se ata ishin vrarë pak para se të zbuloheshin në një tunel në zonën e Rafah. Shtatë amerikanë besohet të jenë në mesin e atyre që ende mbahen peng.
“Ne po hetojmë vrasjen e Hershit dhe secilën prej vrasjeve brutale të amerikanëve, si akte terrorizmi. Ne do të vazhdojmë të mbështesim të gjithë përpjekjet e qeverisë për të sjellë amerikanët që ende mbahen peng në shtëpi,” tha Garland.
Më shumë se 40,000 njerëz janë vrarë në Gaza që kur Izraeli filloi reagimin e tij ndaj sulmit të Hamasit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.
Sipas një zyrtari të Departamentit të Drejtësisë, akuzat kundër liderëve të Hamasit u ngritën në shkurt dhe u mbajtën të vulosura “për të pozicionuar Shtetet e Bashkuara që të jenë gati për të marrë në paraburgim liderin e Hamasit, Ismail Haniyeh dhe të pandehur të tjerë të akuzuar”.
“Pas vdekjes së Haniyah dhe zhvillimeve të fundit në rajon, nuk ishte më e nevojshme të mbaheshin nën vulë ato akuza,” tha zyrtari.