SHBA-ja ia bën të vështirë jetën Vuçiqit, futen në fuqi sanksionet ndaj Serbisë

Sanksionet e SHBA-së kundër Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) hynë zyrtarisht në fuqi këtë mëngjes.
Masat kufizuese, të futura për shkak të pronësisë shumicë ruse në kompani, mund të ndikojnë seriozisht në biznesin e NIS, por edhe në jetën e përditshme të qytetarëve serbë – nga pagesa e karburantit në stacionet e benzinës deri te pagesa e pagave të punonjësve.
Kartat e pagesave të huaja si Mastercard dhe Visa ndalojnë së funksionuari, pagesa e karburantit do të jetë e mundur me kartën vendase “Dina”, me para në dorë ose nëpërmjet sistemit “IPS show.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se “nuk ka më asgjë për të diskutuar me amerikanët” dhe se tani do të përqendrohet në bisedimet me partnerët e tij rusë.
“Jam i sigurt se JANAF-i së shpejti do të ndalojë furnizimin me naftë. Kushdo që vazhdon të bashkëpunojë me NIS-in rrezikon pasoja serioze”, u tha Vuçiq gazetarëve.
Zyrtarisht, ende ka rezerva karburanti, por ekspertët paralajmërojnë se sanksionet afatgjata mund të çojnë në mungesa dhe rritje të çmimeve. Nëse furnizimet ndërpriten, karburanti do të bëhet më i shtrenjtë dhe shumica e produkteve të tjera bashkë me të.
Shumë kompani vendase dhe të huaja do ta ndërpresin bashkëpunimin e tyre me NIS-in, sepse nuk duan të rrezikojnë penalitete për të bërë biznes me një entitet nën sanksione të SHBA-së./Indeksonline/