SHBA-ja kryen sulm vdekjeprurës në Paqësor, dy të vrarë në bord

Ushtria amerikane kreu një sulm vdekjeprurës kundër një anijeje në Paqësorin Lindor të martën, duke vrarë të dy personat në bord, sipas Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Sulmi ndaj anijes në Paqësor, i njohur si sulmi i tetë i SHBA-së ndaj një anijeje të dyshuar për kontrabandë droge që nga fillimi i shtatorit, duket se shënon një zgjerim të fushatës ushtarake amerikane, pasi të shtatë sulmet e mëparshme synonin anijet në Detin e Karaibeve.
“Narko-terroristët që synojnë të sjellin helm në brigjet tona, nuk do të gjejnë port të sigurt askund në hemisferën tonë”, tha Hegseth të mërkurën.
Ai theksoi se anija e synuar “operohej nga një Organizatë e Caktuar Terroriste dhe kryente trafik narkotikësh në Paqësorin Lindor” dhe se “ishte e njohur nga inteligjenca si e përfshirë në kontrabandën e paligjshme të narkotikëve, po kalonte përgjatë një rruge të njohur tranziti dhe mbante narkotikë”.
Hegseth shtoi se asnjë forcë amerikane nuk u lëndua gjatë sulmit dhe i krahasoi trafikantët me al Kaedën.
“Ashtu siç Al Kaeda bëri luftë kundër atdheut tonë, këto kartele po bëjnë luftë kundër kufirit tonë dhe popullit tonë. Nuk do të ketë strehim apo falje – vetëm drejtësi”, shkroi ai.
Administrata Trump kishte nxjerrë më parë një “opinion ligjor të klasifikuar” për të justifikuar sulmet vdekjeprurëse kundër një liste të gjerë kartelesh dhe trafikantësh të dyshuar për drogë, raportoi CNN.
Ekspertët ligjorë i thanë CNN-së se opinioni e trajton trafikantët e drogës si luftëtarë armiq, të cilët mund të vriten menjëherë pa ndonjë shqyrtim gjyqësor.
SHBA-të goditën të paktën dy anije të tjera javën e kaluar në Karaibe, njëra prej të cilave nuk rezultoi me vdekjen e të gjithë personave në bord. Për dy të mbijetuarit nga njëri nga këto sulme, SHBA-të vendosën t’i riatdhesojnë në vendet e tyre të origjinës, Ekuador dhe Kolumbi.