SHBA-ja ndalon diplomatët të komentojnë për demokracinë dhe zgjedhjet jashtë vendit

Një udhëzim i ri i sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, ndalon diplomatët amerikanë të komentojnë mbi ndershmërinë e proceseve zgjedhore dhe vlerat demokratike në vendet e huaja.
Urdhri i brendshëm, i datës 17 korrik, përfaqëson një ndryshim rrënjësor në politikën tradicionale të diplomacisë amerikane, që historikisht ka promovuar demokracinë dhe të drejtat e njeriut në skenën globale.
Sipas dokumentit, ambasadat amerikane nuk do të lëshojnë më deklarata publike për zgjedhjet në vende të tjera, përveçse me miratimin e drejtpërdrejtë të Rubio-s ose zëdhënësit të Departamentit të Shtetit.
Udhëzimi vendos theksin te bashkëpunimet mbi bazë të interesave strategjike, edhe me qeveri autoritare, duke shmangur presionin për reforma demokratike apo respektimin e të drejtave të njeriut.
Kjo politikë është në përputhje me qasjen e presidentit Donald Trump, i cili në një fjalim në Riad më 13 maj u shpreh kundër “ndërhyrjes perëndimore në punët e brendshme të vendeve të Lindjes së Mesme”. Retorika amerikane tashmë do të fokusohet te interesat gjeopolitike dhe ekonomike, pavarësisht nga regjimi në pushtet, raporton Euronewalbania.
Kritikët e shohin këtë lëvizje si një institucionalizim të hipokrizisë në politikën e jashtme amerikane, duke kujtuar standardet e dyfishta ndaj aleatëve tradicionalë si Arabia Saudite krahasuar me vendet si Kuba. Sipas tyre, ky ndryshim mund të forcojë regjimet autoritare dhe të zbehë besueshmërinë e SHBA-së te shoqëria civile dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut në vende të tjera.
Analistët paralajmërojnë se ky largim nga promovimi i demokracisë mund të dëmtojë reputacionin e SHBA-së si një kampion i të drejtave dhe të zvogëlojë ndikimin e saj “të butë” (soft power) në botë. Udhëzimi vjen në një kohë kur raportet ndërkombëtare, si ato të Freedom House dhe Economist Intelligence Unit, tregojnë për një rënie të demokracive në mbarë globin, ndërsa Kina dhe Rusia po rrisin ndikimin e tyre autoritar./Indeksonline/