75 Mall Live Search
12:54 / E Premte, 15 Gusht 2025 / A

SHBA-ja po e shqyrton kufirin prej 40 mijë refugjatësh në vit, shumica për jugafrikanët e bardhë

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, është duke diskutuar një kufi të pranimit të refugjatëve prej 40 mijë njerëzish për vitin e ardhshëm, ndërsa shumica e këtyre vendeve do të ndaheshin për jugafrikanët e bardhë, sipas dy zyrtarëve amerikanë me njohuri rreth çështjes dhe sipas një shkrese të brendshme elekotrnike të programit për refugjatë, duke pasqyruar një ndryshim të madh në qasjen e ShBA-së ndaj refugjatëve.

Angie Salazar, zyrtare e lartë në programin për refugjatë në Departamentin e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore të SHBA-së, iu tha punëtorëve për refugjatë se ajo pret që kufiri të jetë 40 mijë njerëz, sipas një shkrese elektronike të 1 gushtit, e cila është parë nga agjencia e lajmeve “Reuters”.

Dy zyrtarët, të cilët folën në kushte anonimiteti, thanë se rreth 30 mijë prej 40 mijë vendeve do t’u kushtoheshin afrikanëve të bardhë në Afrikën e Jugut, pakicë e madhe me prejardhje holandeze, të cilës Trumpi i ka dhënë prioritet për vendosje në SHBA.

Kufiri prej 40 mijë refugjatësh do të shënonte tkurrje të madhe nga 100 mijë refugjatë sa ishin lejuar nga ish-presidenti Joe Biden në vitin fiskal 2024, por më i lartë se kufiri rekord i ulët prej 15 mijë njerëzish që Trumpi e kishte caktuar për vitin fiskal 2021 para se të merrte fund mandati i tij i parë.

Një person tjetër i afërt me çështjen tha se, përpos shifrës prej 40 mijë refugjatësh, ishte diskutuar një kufi jo më i lartë se 12 mijë të tillë.

Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, në mbarë botën janë 37 milionë refugjatë.

Përpos afrikanëve të bardhë, administrata e Trumpit pret që të pranojë disa afganë që i kishin ndihmuar autoritetet amerikane gjatë konfliktit në Afganistan dhe është duke e shqyrtuar mundësinë për të pranuar ukrainas, thuhet në shkresën elektronike.