75 Mall Live Search
20:49 / E Premte, 24 Tetor 2025 / MSH

SHBA-ja sulmon anijen e drogës, parandalohet trafikimi nga Venezuela

Shtetet e Bashkuara kanë kryer një tjetër sulm ushtarak në Karaibe ndaj një anijeje që, sipas Pentagonit, transportonte drogë të paligjshme, duke vrarë gjashtë persona që ndodheshin në bord.

Ishte sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili publikoi videon e sulmit këtë të premte, duke shkruar se kjo anije ishte vëzhguar prej kohësh nga Inteligjenca Amerikane  dhe njihej për kontrabandë narkotikësh që si destinacion kishin Shtetet e Bashkuara.

Hegseth deklaroi se sulmi u krye në ujëra ndërkombëtare duke theksuar se asnjë trup amerikan në rajon nuk u lëndua.

Që prej 3 shtatorit të këtij viti, ushtria amerikane ka kryer të paktën 10 sulme ndaj anijeve të lidhura me bandat e Karaibeve, Paqësorit dhe Amerikës së Jugut, por jo vetëm në ujërat ndërkombëtarë duke vrarë 43 trafikantë sipas asaj që ka deklaruar Washingtoni zyrtar.

Mediat ndërkombëtare zbuluan këtë javë se CIA ka siguruar informacionet për pjesën më të madhe të këtyre sulmeve duke nënkuptuar kështu që përzgjedhja e objektivave do të mbetet e mbyllur në dokumentet e klasifikuara.

Hegseth zbuloi se anija e sulmuar këtë të premte drejtohej nga trafikantët e Tren de Aragua një grup kriminal ky i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë kanë pohuar se presidenti Trump po ushtron kompetencat e tij sipas nenit 2 të Kushtetutës së SHBA-së, që lejon përdorimin e forcës ushtarake në raste vetëmbrojtjeje të kufizuar.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara vijojnë sulmet ndaj karteleve të drogës, presidenti venezuelian Nicolas Maduro, që kishte thënë se ushtria e vendit te tij ishte gati për luftë, kërkoi këtë të premte paqe me Washingtonin.