SHBA jep 2.76 miliardë dollarë për të adresuar krizën ushqimore në botë

Liderët e G7-ës kanë bërë të ditur të martën se do të bëhen financime deri në 5 miliardë dollarë për sigurinë ushqimore globale. Ky hap vjen si përpjekje e radhës për adresuar efektet që lufta në Ukrainë po jep në mbarë botën.
Më shumë se gjysma e fondeve do të vijnë nga Shtetet e Bashkuara. Si pjesë e njoftimit të së martës, administrata Biden do të sigurojë 2.76 miliardë dollarë financim “për të mbështetur përpjekjet në mbi 47 vende dhe organizata rajonale”.
Paketa financiare do të përfshijë 2 miliardë dollarë ndihmë direkte humanitare dhe 760 milionë dollarë “për ndihmë të qëndrueshme, afatshkurtër dhe afatmesme ushqimore për të ndihmuar në rritjen e qëndrueshmërisë dhe produktivitetit të sistemeve ushqimore në mbarë botën, veçanërisht në rajonet e cenueshme”, u tha gazetarëve të martën një zyrtar i lartë i administratës.
Kujtojmë se pushtimi i Ukrainës po shtyn miliona persona drejt varfërisë. Sipas vlerësimeve të Shtëpisë së Bardhë, pushtimi i Ukrainës dhe shkatërrimi i mëpasshëm i pajisjeve bujqësore dhe bllokimi i dërgesave të drithit pritet që të shtyjë drejt “zisë së urisë” mbi 40 milionë persona gjatë këtij viti.