13:42 / E Martë, 05 Maj 2020 / indeksADMonline

SHBA merr 3 trilionë dollarë borxh për të përballuar krizën

Viktimat e Covid-19 në të gjithë botën i tejkalojnë 250 mijë, ndërsa të prekurit janë mbi 3 milionë e 500 mijë, sipas të dhënave të universitetit John Hopkins.

Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë vendi më i prekur me rreth 69 mijë viktima; Italia numëron mbi 29 mijë humbje jetësh e po aq Britania e Madhe. E megjithatë, krahasimet janë të vështira pasi secili vend ka metoda të ndryshme të raportimit të shifrave dhe mungesa e testimeve në disa shtete e bën të vështirë të kuptosh shtrirjen e vërtetë të pandemisë.

Shpresëdhënëse në SHBA ishte rënia e bilancit të jetëve të humbura në 24 orë. Me 1015 vdekje të konfirmuara, e hëna shënoi ditën më pozitive në një muaj. Ndërsa pesha e krizës shëndetësore rëndon gjithnjë e më shumë në shpatullat e ekonomisë, Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të marrin borxh një shifër rekord prej 3 trilionë dollarësh në 4 mujorin e dytë të vitit.

Bëhet fjalë për shumë, 5 herë më të lartë se sa rekordi i mëhershëm 4 mujor, në kulmin e krizës financiare të vitit 2008. Administrata Trump aprovoi një paketë shpëtimi prej 3 trilionë dollarësh për t’i bërë ballë krizës ekonomike të gjeneruar nga pandemia. Totali i borxhit publik amerikan është pranë 25 trilionë dollarëve.

E megjithatë, shpenzimi shihet si jetësor për të minimizuar ndikim tek ekonomia, ndërsa mbyllja e bizneseve mund t’i kushtojë vendin e punës 30 milionë qytetarëve.