SHBA ofron 1 milion dollarë shpërblim për djalin e Bin Laden
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ofruar një shpërblim prej 1 milion dollarësh për këdo kush ka informacione për njërin prej djemve të ish-liderit të Al-Qaedas, Osama bin Laden.
Autoritetet amerikane janë vënë në ndjekje të Hamza bin Laden, që thuhet se është një nga liderët e grupit ekstremist e që besohet se gjendet në afërsi të kufirit mes Afganistanit dhe Pakistanit.
BBC kujton se vitet e fundit, Hamza bin Laden ka publikuar mesazhe audio dhe video duke ftuar që të sulmohen Shtetet e Bashkuara dhe vendet perëndimore si hakmarrje për vrasjen e të atit, përcjell KosovaPress.
Në vitin 2011, forcat speciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës arritën të gjejnë dhe të vrasin Osama Bin Laden në Abbottabad në Pakistan. Ai mori përgjegjësinë për sulmet e 11 shtatorit 2001 në SHBA në të cilën humbën jetën rreth 3 mijë veta.