75 Mall Live Search
16:10 / E Premte, 12 Shtator 2025 / F.R

SHBA pezullon dialogun strategjik me Kosovën, reagon Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përmes një njoftimi për media ka shprehur shqetësimin e saj të thellë lidhur me njoftimin e sotëm të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës duhet të ndryshojë menjëherë qasjen e saj dhe të angazhohet në një koordinim më të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë

“Pezullimi i kësaj nisme të rëndësisë strategjike për Kosovën, përbën një hap prapa për aspiratat ekonomike dhe diplomatike të Kosovës. Në këtë moment vendimtar, është thelbësore që Qeveria e Kosovës të ndryshojë menjëherë qasjen e saj dhe të angazhohet në një koordinim më të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë. Kosova nuk ka mbështetës dhe partner më të madh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ky realitet duhet të reflektohet në veprimet dhe vendimet e institucioneve të saj”, thuhet në njoftim.

Ndërsa ka shtuar se u bën thirrje të gjithë hisedarëve politikë e jopolitikë në Kosovë që të veprojnë me përgjegjësi dhe urgjencë për të rikthyer besimin dhe dialogun.

“Vetëm përmes bashkëpunimit konstruktiv dhe përafrimit me aleatët tanë më të besueshëm, Kosova mund të garantojë stabilitetin, të debllokojë mundësitë ekonomike, si dhe të sigurojë mirëqenie afatgjate për qytetarët e saj.

Oda Ekonomike Amerikane mbetet e përkushtuar në mbështetjen e avancimit të partneritetit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës dhe u bën thirrje të gjithë hisedarëve politikë e jopolitikë në Kosovë që të veprojnë me përgjegjësi dhe urgjencë për të rikthyer besimin dhe dialogun”, thuhet tutje në njoftim./IndeksOnline/