75 Mall Live Search
21:59 / E Diele, 07 Dhjetor 2025 / F.R

SHBA presion mbi BE-në për të mos përdorur asetet e ngrira ruse, ja çfarë po shqyrton Brukseli

Konfrontimi në Bruksel mbi mënyrën se si do të përdoren fondet e ngrira ruse duket se po hyn në një fazë të re.

SHBA-të po përpiqen ta pengojnë Europën që t’i përdorë ato për të financuar Ukrainën.

Bloomberg citon diplomatë europianë, sipas të cilëve Uashingtoni u ka bërë thirrje kryeqyteteve europiane, duke u kërkuar atyre të “ngrijnë” planin për t’i dhënë një kredi të madhe Kievit, e cila do të mbulohej nga asetet e bankës qendrore ruse që janë ngrirë në Europë.

SHBA-të i konsiderojnë fondet një pikë kritike në negociatat e mundshme të paqes midis Moskës dhe Kievit dhe shprehin shqetësimin se kanalizimi i tyre në përpjekjet e luftës së Ukrainës mund ta zgjasë konfliktin.

Megjithatë, në periudhën aktuale, Bashkimi Europian ka paraqitur një propozim për të përdorur këto rezerva si garanci për një kredi deri në 90 miliardë euro, me qëllim mbulimin e nevojave ekonomike dhe mbrojtëse të Ukrainës deri në vitin 2027.

Bazuar në vlerësime, afërsisht 210 miliardë euro asete ruse janë aktualisht në juridiksionin europian, ndërsa fushëveprimi i përdorimit të tyre mund të zgjerohet më tej pas vitit 2028.

Departamenti i Shtetit nuk bëri një koment zyrtar mbi informacionin.

Ndërhyrja e SHBA-së vjen ndërsa Uashingtoni po ushtron presion në rritje mbi Kievin për të arritur një marrëveshje paqeje, madje edhe me kushte të vështira, pasi administrata Trump ka ulur ndjeshëm mbështetjen ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën, duke zhvendosur fokusin në Europë.

Asetet e ngrira ruse janë gjithashtu pjesë e një propozimi prej 28 pikash të SHBA-së për bisedime paqeje. Uashingtoni po lë të hapur mundësinë e përdorimit të tyre në të ardhmen për investime pas luftës nën koordinimin e SHBA-së.

Qeveritë europiane këmbëngulin që menaxhimi i fondeve është përgjegjësi ekskluzive e BE-së. Kancelari gjerman Friedrich Merz e bëri të qartë se “nuk ka mundësi për transferimin e parave në SHBA”, duke nënvizuar se qëndrimi i përbashkët europian është që fondet të drejtohen në Ukrainë.

Megjithatë, propozimi po përballet me rezistencë. Belgjika, e cila është gjithashtu shtëpia e një sasie të madhe kapitali rus, po shpreh rezerva të forta, duke pasur frikë si nga barra financiare në rast të pretendimeve të ardhshme ligjore nga Rusia, ashtu edhe nga rreziku i hakmarrjes ruse kundër interesave europiane.

Kancelari gjerman pritet ta diskutojë çështjen sot në Bruksel me Kryeministren belge dhe Presidenten e Komisionit Ursula von der Leyen, në një përpjekje për të kapërcyer kundërshtimet përpara një samiti të BE-së në fund të muajit.

Komisioni Europian po shqyrton dhënien e garancive përmes buxhetit europian ose shteteve anëtare si një alternativë. Ideja e emetimit të borxhit të përbashkët europian është gjithashtu në tryezë, një propozim që po refuzohet nga vende si Gjermania.

Në të njëjtën kohë, Hungaria është plotësisht kundër përdorimit të aseteve ruse, mdërsaSllovakia po bllokon çdo masë që lidhet me mbështetjen ushtarake për Ukrainën.

Megjithatë, plani kërkon një shumicë të kualifikuar dhe jo unanimitet, gjë që e lë të hapur mundësinë e miratimit të tij.