18:38 / E Mërkurë, 29 Prill 2020 / indeksADMonline

SHBA/Rreth 1.6 miliardë punëtorë në të zezë nuk janë paguar

Shtetet e Bashkuara pësuan tkurrjen më të madhe ekonomike të dekadës. Sipas të dhënave të fundit, ekonomia më e madhe e botës u tkurr në tremujorin e parë me 4.8%, ndërsa rreth 26 milionë vetë kanë humbur vendet e punës. Të dhëna negative vijnë edhe nga Organizata Ndërkombëtare e Punës, që njofton se në nivel global rreth 1.6 miliardë të punësuar në të zezë nuk janë paguar. 

Ekonomia amerikane pësoi tkurrjen më të madhe brenda një dekade në tremujorin e parë të vitit për shkak të izolimit nga shpërthimi i koronavirusit. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara të mërkurën, ekonomia më e madhe e botës pësoi një goditje vjetore prej 4.8%, duke prekur nivelet e vitit 2014.

Por shifrat nuk pasqyrojnë krizën e plotë, pasi shumë prej kufizimeve nuk u vendosën deri në mars. Gjatë kësaj periudhe mbi 26 milionë amerikanë kanë kërkuan pagesën e papunësisë, ndërkohë ekspertët presin që rritja e tremujorit të dytë të tkurret me rreth 30 për qind.

Të dhëna negative vijnë edhe nga Organizata Ndërkombëtare e Punës. Sipas saj rreth gjysma e të gjithë punëtorëve në botë rrezikojnë të humbasin të ardhurat për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Drejtori i kësaj organizate, Guy Ryder, kërkoi solidaritet ndërkombëtar në vend të sistemeve kombëtare të mbrojtjes sociale.

“Nga ajo që shohim në një raport monitorues, në rreth 2 miliardë punëtorë informalë në botë, rreth 1.6 miliardë e tyre kanë pësuar dëme masive të aftësisë së tyre për të fituar jetesën, dhe për të mbështetur veten dhe familjet e tyre për shkak të COVID-19,” tha ai.

Organizata Ndërkombëtare e Punës thotë se për miliona punëtorë, mungesa e atë ardhurave nënkupton mungesë të ushqimit, të sigurisë dhe të së ardhmes.