SHBA sanksione Rusisë, masat e para të administratës Biden lidhur me helmimin e Navalny-t

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë lidhur me helmimin e Alexei Navalny-t.
Masat, që janë koordinuar me ato të Bashkimit Evropian, vënë në shënjestër 7 zyrtarë rusë dhe 14 institucione të përfshira në prodhimin e armëve kimike.
Ato janë sanksionet e para që vendosen ndaj Rusisë nga administrata Biden.
Navalny, një aktivist kundër korrupsionit, u helmua gushtin e kaluar me agjent nervor Noviçok, në një sulm që ai vetë por dhe Amerika e lidhin me shërbimet sekrete të presidentit rus Putin.
Nga ana e tyre, autoritetet ruse i hedhin poshtë akuzat.
“Kur të gjithë ata që e mjekuan Navalny-n fshehin faktet që mund të ndihmojnë të kuptojmë se çfarë ndodhi në të vërtetë dhe paralelisht, kur në vend të bashkëpunimit të ndershëm ata nisin të na ndëshkojnë, kjo nuk i jep asnjë kredit atyre që marrin këto vendime. Dhe ne sigurisht do të përgjigjemi”, u shpreh Sergey Lavrov, ministër i Jashtëm i Rusisë.
Muajin e kaluar, Navalny u dënua me 2 vjet e gjysmë burg për një rast përvetësimi parash, akuzë që ai e hedh poshtë si të sajuar.
Burgimi i tij bëri që dhjetëra mijëra qytetarë të mbushnin rrugët për të protestuar, por autoritetet ruse iu përgjigjën atyre duke përdorur forcën.
Gjithashtu, ato e transferuan kritikun e Kremlinit në një burg larg Moskës për të shlyer dënimin, pasi grupet e të drejtave të njeriut e cilësuan procesin ndaj tij qersharak.