75 Mall Live Search
23:10 / E Premte, 09 Prill 2021 / OSH

ShBA-të dhe Evropa duan sa më shpejtë vazhdimin e dialogut

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para se të merrte mandatin e të parit të vendit tha se nuk e rëndit lart dialogun me Serbinë si prioritet, duke insistuar që punësimi dhe drejtësia janë prioritete më të rëndësishme.

Por, aleatët e Kosovës, ShBA-të dhe Bashkimi Evropian e shohin të rëndësishme vazhdimin e këtij dialogu, shkruan Indeksonline.

Ambasadori i ShBA-ve, Philippe Kosnett në një intervistë për T7 në muajin shkurt kishte thënë se bota nuk pret për procesin e dialogut.

“Kur Kurti thotë, në rregull, dialogu, politika e jashtme, do ta lëmë atë pak më poshtë – përvoja ime është se bota nuk pret. Një qeveri amerikane e ka thënë këtë në të kaluarën. Nganjëherë vijnë në pushtet dhe thonë se në dy vjetët e parë, katër vjetët e parë do të merremi me politikën e brendshme, e pastaj do të shqetësohemi për politikën e jashtme. Kjo është paksa e vështirë për t’u bërë, andaj nuk do të lidhesha shumë për këtë pikë”, tha diplomati amerikan.

Kurse në letrën e Përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell për Albin Kurtin sot u shprehë se shpreson që takimi i ardhshëm të jetë në nivelin e lartë të dialogut.

“Unë kam dëshirë që t’ju pres për takimin e ardhshëm të nivelit të lartë të dialogut sa më shpejtë të jetë e mundur dhe qëndroj fort i vendosur për të ndihmuar të dy palët të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, ka thënë Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell.

Mbetet të shihet se kur do të jetë takimi i radhës mes Kosovës dhe Serbisë. Me 4 shtator ishte takimi i fundit mes dy palëve në Dhomën Ovale në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.

Në atë kohë, kryeministër i Kosovës ishte Avdullah Hoti, kurse president i ShBA-ve ishte, Donald Trump.

Gjatë këtij takimi ishte nënshkruar Marrëveshja Ekonomike mes dy vendeve, ne ndërmjetësues ShBA-të. /Indeksonline/