SHBA-të rrisin praninë ushtarake pranë Venezuelës

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka vendosur një nga pranitë më të mëdha ushtarake në Karaibe gjatë tre dekadave të fundit, me qëllimin e deklaruar për të luftuar trafikun e drogës. Por, sipas analistëve dhe figurave të opozitës venezueliane, misioni ka marrë një drejtim të ri, rrëzimin e regjimit të Nicolás Maduros.
Burime për Financial Times, pranë opozitës në Caracas, thonë se strategjia amerikane synon t’i bindë udhëheqësit venezuelianë se qëndrimi në pushtet do t’u kushtojë më shumë sesa dorëheqja. Në vend të një ndërhyrjeje tokësore, Shtëpia e Bardhë po përdor forcën e demonstrimit ushtarak, me aeroplanmbajtëse, bombardues strategjikë dhe njësi speciale për të ushtruar presion maksimal mbi regjimin socialist të Maduros.
“Strategjia e Trump nuk është të zbarkojë trupa, por të tregojë epërsi të pakontestueshme ushtarake dhe ta përdorë atë për qëllime politike”, tha një figurë e opozitës venezueliane për Financial Times.
“Qëllimi është i qartë, Maduro dhe rrethi i tij duhet të largohen, në një mënyrë apo një tjetër, dhe shpejt.”
Nga lufta kundër drogës në operacion për ndryshim regjimi
Operacioni amerikan, që fillimisht u paraqit si fushatë kundër trafikut të drogës, është shndërruar gradualisht në një operacion për ndryshim regjimi.
Sipas zyrtarëve të lartë amerikanë, opsioni për të përdorur forcë të kufizuar ushtarake për të “kapur ose eliminuar” Maduro-n mbetet në tavolinë.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, deklaroi se Trump është “i përgatitur të përdorë çdo element të fuqisë amerikane për të ndaluar trafikun e drogës dhe për të sjellë para drejtësisë ata që janë përgjegjës”.
Ndërkohë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, e quajti Maduro-n “jo udhëheqës legjitim të Venezuelës, por një i arratisur nga drejtësia amerikane që rrezikon sigurinë rajonale dhe helmon amerikanët”.
Përplasja për burimet e Venezuelës
Në qendër të kësaj krize qëndron një shtet me rezervat më të mëdha të provuara të naftës në botë, si dhe pasuri të mëdha në ari, diamante dhe koltan. Dikur aleate e ngushtë e SHBA-ve, Venezuela është afruar prej dy dekadash me Rusinë, Kinën dhe Iranin, që prej ardhjes në pushtet të Hugo Chávez.
Pas vdekjes së Chávez-it në vitin 2013, pushteti kaloi te Nicolás Maduro, ish-shofer autobusi i trajnuar në Kubë, i cili aktualisht ka një shpërblim prej 50 milionë dollarësh të shpallur nga Uashingtoni për kapjen e tij.
Trump e konsideron Venezuelën një “çështje të pambyllur” që nga tentativa e tij e parë për ta rrëzuar Maduro-n gjatë mandatit të parë, kur imponoi sanksione ekonomike maksimale dhe njohu një qeveri alternative të drejtuar nga opozita.
Manovra diplomatike dhe tension i brendshëm
Sipas raportimeve të javës së fundit, qeveria venezueliane ka ofruar dorëheqjen e Maduro-s dhe transferimin e pushtetit te zëvendëspresidentja Delcy Rodríguez, në përpjekje për të zbutur presionin amerikan, një lëvizje që ende nuk ka prodhuar rezultat.
Trump, nga ana tjetër, ka konfirmuar publikisht përshkallëzimin e qëndrimit të tij.
“Maduro ka ofruar gjithçka. E dini pse? Sepse nuk do të përballet me Shtetet e Bashkuara”, tha ai të premten.
Sipas Vanessa Neumann, ish-përfaqësuese e opozitës në SHBA dhe këshilltare për çështje të mbrojtjes, qëllimi i administratës është “kapja e Nicolás Maduro-s me çdo mjet të nevojshëm”.
Forca ushtarake dhe frika nga përshkallëzimi
Në javët e fundit, mediat sociale janë mbushur me imazhe të avionëve bombardues B-52 dhe anijeve luftarake amerikane që operojnë pranë brigjeve të Venezuelës. Analistët sugjerojnë se Uashingtoni po zhvillon një luftë informacioni për të tronditur rrethin e brendshëm të pushtetit në Caracas.
Ndërkohë, Maduro ka urdhëruar ushtrime ushtarake dhe turne kombëtare, duke paralajmëruar për një “pushtim të planifikuar nga gringot”. Por, frika në kampin qeveritar është reale, zyrtarët e lartë po ndryshojnë vendstrehime çdo natë, po ndërrojnë telefonat dhe truprojat kubane, dhe po intensifikojnë kontrollin ndaj çdo forme dyshimi në radhët e forcave të sigurisë.
Një gjeneral aktiv venezuelian, i cituar nga Financial Times, tha se “zbatohen protokolle të reja sigurie që kërkojnë lëvizje të vazhdueshme mes Caracas, Valencias dhe Maracay”.
Megjithatë, ushtria venezueliane konsiderohet në gjendje të dobët luftarake, me shumë pajisje të papërdorshme për shkak të mungesës së mirëmbajtjes dhe pjesëve të këmbimit.
“Forcat e armatosura duken të forta vetëm sepse kanë shtypur civilë të paarmatosur”, tha një figurë e opozitës.
“Por realisht nuk janë të gatshme për t’u përballur me një fuqi të huaj.”
Një krizë me shumë të panjohura
Ndërsa disa analistë paralajmërojnë se rrëzimi i menjëhershëm i regjimit mund ta zhysë Venezuelën në kaos si Libinë apo Irakun, opozita insiston se vendi ka strukturë më të qëndrueshme dhe nuk rrezikon përçarje etnike apo fetare.
Ndërkohë, Maria Corina Machado, fituese e Çmimit Nobel për Paqe dhe figurë qendrore e opozitës konservatore, po qëndron në fshehtësi, duke pritur momentin për një tranzicion të mundshëm të pushtetit.
Por, siç thekson një ish-zyrtar amerikan për Financial Times “Trump nuk flet për zgjedhje apo demokraci. Ai do të përcaktojë vetë çfarë do të thotë ‘fitore’ në Venezuelë. Atij i pëlqejnë skenat spektakolare me shumë shpërthime.”