17:40 / E Enjte, 12 Tetor 2017 / indeksADMonline

SHBA tërhiqet nga UNESCO, shkak Izraeli

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë tërhequr nga Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), pas kritikave të vazhdueshme që zyrtarët e lartë amerikanë ia kanë bërë rezolutave të kësaj agjencie, të cilën Uashingtoni e sheh si anti-izraelite, zyrtarë amerikanë kanë thënë për Associated Press.

SHBA-ja e ndali financimin e UNESCO-s pasi kjo e fundit votoi për ta pranuar Palestinën si anëtare të saj në vitin 2011, por Departamenti i Shtetit e ka mbajtur një Zyre të UNESCO-s në zyrat e veta qendrore në Paris dhe ka kërkuar ta japë mendimin e vet rreth politikave por prapa skenës, transmeton Express.

Largimi është konfirmuar sot nga zyrtarët amerikanë, të cilët kanë folur në kushte anonimiteti për shkak se nuk kanë qenë të autorizuar për të folur publikisht për këtë vendim.

Largimi i SHBA-së vjen në momentin kur UNESCO po voton për ta zgjedhur drejtorin e ri.

Zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë ambasadoren e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, e kanë denoncuar vazhdimisht UNESCO-n.

UNESCO ka shprehur në vijimësi shqetësimin për ndërhyrjet e Izraelit në Jerusalem, qyteti historik i tri feve hyjnore.

Departamenti i Shtetit njoftoi synimin për t’u tërhequr nga organizata kulturore, shkencore dhe arsimore e OKB-së dhe të bëhet vëzhgues i përhershëm.

“Ky vendim nuk u mor me lehtësi dhe pasqyron shqetësimet e SHBA me vonesat në rritje në UNESCO, nevojën për reforma themelore në organizatë dhe vazhdimin e paragjykimit anti-izraelit në UNESCO”, tha në një deklaratë Departamenti i Shtetit./AktivPress