ShBA tregon se çfarë duhet të bëjnë dy qeveritë, për të vazhduar dialogu Kosovë-Serbi
Kanë kaluar pothuajse pesë muaj që nga një vendim i qeverisë, i cili ndonëse është mirëpritur nga qytetarët e Kosovës, ka hasur në kundërshtimin e ndërkombëtarëve, shkruan Indeksonline.
Përveç Bashkimit Evropian, taksën 100% të vendosur për produktet serbe dhe boshnjake, e kanë kundërshtuar edhe amerikanët.
Pak kohë pas miratimit të kësaj mase dhe pezullimit nga ana e Serbisë të takimeve në kuadër të fazës së fundit të dialogut, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar pezullimin e taksës, nga e cila sipas tyre, nuk përfiton asgjë Kosova.
E këtë qëndrim, Amerika nuk e ka në plan ta ndryshojë.
Në një përgjigjeje për Indeksonline, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ka bërë të ditur se qëndrimi i tyre “mbetet i pandryshuar”.
“Qëndrimi i qeverisë amerikane lidhur me taksat mbetet i pandryshuar”.
Që nga miratimi i taksës ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, nuk është mbajtur asnjë takim mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut mes dy vendeve.
E gjithë kjo, pas refuzimit të këtij të fundit për t’u ulur në tavolinë me liderët kosovarë derisa të hiqet masa e ndërmarrë ndaj Serbisë si shenjë reciprociteti ndaj veprimeve të tyre kundër Kosovës.
Qeveria e Kosovës dhe e Serbisë, thuhet në përgjigjen e amerikanëve, duhet të jenë kreative dhe fleksibile në negociatat mes dy vendeve.
Sipas tyre, kreativiteti dhe fleksibiliteti i dy qeverive është më se i nevojshëm në këtë kohë.
”Shtetet e Bashkuara i kanë inkurajuar qeveritë e Kosovës dhe Serbisë që të jenë edhe kreative edhe fleksibile në qasjen e tyre ndaj këtyre negociatave – këto cilësi nevojiten tash më shumë se kurdo për të sjellë palët prapa te tavolina e negociatave”.
Përkundër kërkesës së ndërkombëtarëve, kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se nuk do e heqë taksën ndaj produkteve serbe dhe boshnjake deri në njohjen e Kosovës nga Serbia.
Kërkesës së ndërkombëtarëve për heqjen/pezullimin e taksës i janë bashkangjitur edhe disa liderët të tjerë kosovarë. /Indeksonline/