SHBA vendos “barrikadë” të re: Trump ndalon çdo aplikim emigracioni nga 12 vende
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka pezulluar të gjitha aplikimet për emigrim nga 19 vende dhe ka anuluar ceremonitë e dhënies së shtetësisë në të gjithë SHBA-në, duke përmendur shqetësime për sigurinë kombëtare dhe rendin publik.
Sipas New York Times, vendimi mund të prekë mbi 1.5 milionë persona me kërkesa për azil në proces dhe më shumë se 50 mijë që kanë fituar azil gjatë administratës Biden, transmeton IndeksOnline.
Sipas New York Post, Trump po shqyrton gjithashtu zgjerimin e ndalimit të udhëtimit në më shumë se 30 vende.
Vendimi vjen pasi javën e kaluar një shtetas afgan, Rahmanullah Lakanwal, u arrestua në Uashington D.C., i dyshuar për vrasjen e një pjesëtari të Gardës Kombëtare dhe plagosjen e një tjetri, ngjarje që memorandumi i ri e cilëson si “sulm terrorist”.
Vendet e prekura nga ndalimi i ri:
Ndalim i plotë imigracioni: Afganistan, Mianmar, Çad, Republika e Kongos, Guinea Ekuatoriale, Eritrea, Haiti, Iran, Libi, Somali, Sudan dhe Jemen.
Kufizim i aksesit: Burundi, Kuba, Laosi, Sierra Leone, Togo, Turkmenistan dhe Venezuela.
Politika e re pezullon të gjitha aktivitetet e lidhura me emigracionin, përfshirë ceremonitë e shtetësisë për banorët e ligjshëm të vendeve të listuara, raportoi CBS News. Zëdhënësi i Shërbimit të Emigracionit dhe Shtetësisë, Matthew Tragesser, tha se administrata “po siguron që qytetarët e rinj të jenë më të mirët e më të mirëve”, duke theksuar se “shtetësia është privilegj, jo e drejtë”.
Një memo e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, e siguruar nga Washington Post, kërkon rivlerësim të plotë të të gjithë aplikantëve, përfshirë intervista të reja nëse nevojitet, dhe lejon bllokimin e aplikimeve bazuar në një përkufizim të gjerë të “papranueshmërisë”.
Avokati i emigracionit Todd Pomerleau, i cili ka qenë së fundmi në qendër të vëmendjes mediatike, paralajmëroi se vendimi do të kontestohet në gjykatë “para se të thahet boja”. Ai e cilësoi masën si “targetim të njerëzve për shkak të kombësisë, origjinës apo besimeve të tyre”.
Trump njoftoi kufizimet e reja javën e kaluar, duke kritikuar ish-presidentin Joe Biden për lejimin e migrantëve “të pa verifikuar” në SHBA, dhe ka ashpërsuar retorikën ndaj komuniteteve nga Somalia, të cilët së fundi i ka quajtur “plehra”, duke deklaruar se “nuk i duam në vendin tonë.”

