21:50 / E Premte, 30 Shtator 2022 / shkelqim osmanaj

SHBA vendos sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë në përgjigje të aneksimeve

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vendosin sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë në përgjigje të aneksimit nga Moska të katër territoreve të okupuara ukrainase, njoftoi qeveria amerikane.

Masat synojnë, ndër të tjera, përfaqësues të tjerë të qeverisë ruse, anëtarët e familjeve të tyre dhe anëtarët e ushtrisë duke përfshirë edhe furnizuesit ndërkombëtarë.

Lista e gjatë e të prekurve përfshin kreun e bankës qendrore ruse Elvira Nabiullina, anëtarë të parlamentit, si dhe anëtarë të familjes së kryeministrit Mikhail Mishustin, ministrit të Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe kryebashkiakut të Moskës Sergei Sobyanin.

Presidenti i SHBA Joe Biden theksoi se ‘’SHBA dënon përpjekjen e Rusisë për të aneksuar territorin sovran të Ukrainës dhe tha se Rusia po e bën këtë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare’’.

Rusia ka deklaruar se provincat Donetzk, Kherson, Luhansk dhe Zaporizhzhya janë pjesë e Federatës Ruse, por aneksimi nuk njihet ndërkombëtarisht.