75 Mall Live Search
09:34 / E Premte, 01 Nëntor 2019 / indeksADMonline

SHBA-ja i vendos sanksione të reja Iranit

Qeveria amerikane njoftoi se janë vendosur sanksione të reja që kanë në objektiv tregtinë për disa materiale të rëndësishme që përdoren në sektorin e ndërtimit dhe atë ushtarak të Iranit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim nga sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, theksohet se regjimi i sanksioneve kundrejt Qeverisë së Teheranit do të vazhdojnë duke u intensifikuar.

Në kuadër të sanksioneve është vendosur në objektiv sektori i ndërtimit që sipas sekretarit Pompeo ndodhet nën kontrollin ose ndikimin e Gardës Revolucionare të Iranit.

Gjithashtu, Pompeo ka njoftuar se në kuadrin e sanksioneve është përfshirë edhe tregtia e 4 materialeve, të cilat përdoren në programin bërthamor dhe raketave balistike të Iranit.

Më parë SHBA-ja, duke vendosur në objektiv strukturën financiare të Iranit përfshiu në listën e sanksioneve Bankën Qendrore të Iranit. Qeveria e Washingtonit, gjithashtu shtoi në listën e sanksioneve edhe liderin iranian Ayatollah Ali Khamenei, ministrin e Jashtëm, Javad Zarif, dhe ushtrinë e Gardës Revolucionare të Iranit.