22:11 / E Mërkurë, 29 Qershor 2022 / AR

Shefi i asambleistëve të VV-së në Suharekë arrestohet për dallavere me subvencione

Gjatë ditës së sotme Policia e Kosovës ka bërë të ditur se pas hetimeve disa mujore, në kordinim me Prokurorinë Speciale kanë zhvilluar sot aksion në disa komuna.

Gjatë këtij aksioni u njoftua se 11 persona u arrestuan nën dyshimet për dallavere me subvencione.

Gazeta Insajderi sipas burimeve të veta merr vesh se njëri prej personave të arrestuar është Liridon Fandaj asambleist i Lëvizjes Vetëvendosje në Suharekë.

Liridon Fandaj në profilin e tij në Facebook ka postime dhe fotografi të aktiviteteve si aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje.

Gazeta Insajderi ka kontaktuar Salih Zybën, deputet i LVV, i cili ishte njëkohësisht kandidat për kryetar të Suharekës në zgjedhjet e fundit në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ka miqësi me Liridon Fandaj, por i njëjti nuk pranoi të fliste dhe të japë ndonjë përgjigjje.

Nën dyshimin për keqpërdorime në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, operacioni u zhvillua në Pejë, Istog, Deçan, Viti, Suharekë dhe Ferizaj.

Të arrestuarit gjatë këtij aksioni dyshohet së janë përfshirë në veprat penale: ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar’, ‘marrja e ryshfetit’, ‘dhënia e ryshfetit’, ‘mashtrimi me subvencione’ ‘falsifikimi i dokumenteve zyrtare’ dhe ‘pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare’.