Shefi i diplomacisë kroate kërkon nga pesë vendet e BE-së ta njohin Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grliq Radman, në konferencën ndërkombëtare GLOBSEC në Bratisllavë të Sllovakisë, deklaroi se Kroacia inkurajon pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian ta njohin pavarësinë e Kosovës.
“Kroacia inkurajon pesë anëtarët e tjerë të BE të njohin Kosovën, sepse kjo do të kontribuonte në stabilizimin e rajonit dhe vetë Kosovës”, u tha Grlic Radman gazetarëve sot, raportojnë mediat serbe.
Radman, menjëherë pasi bëri thirrje për njohjen e pavarësisë së Kosovës, tha se respektimi i integritetit territorial të shteteve është thelbësor për stabilitetin e rajonit.
“Integriteti territorial i shteteve të Ballkanit duhet të ruhet dhe respektohet, domethënë pa i ridefinuar kufijtë, siç kemi dëgjuar muajt e fundit, kur qarkulluan disa ‘non paper’ famoze, të cilat ishin orientuar në atë drejtim”, tha Radman.
Kosova e shpalli pavarësinë në vitin 2008, e cila u njoh nga të gjithë anëtarët e BE-së, përveç Qipros, Greqisë, Rumanisë, Spanjës dhe Sllovakisë.