75 Mall Live Search
09:47 / E Premte, 18 Tetor 2024 / S Z

Shefi i emergjencave në Gazën Veriore: Qentë po i hanë të vdekurit rrugëve

Trupa të shtrirë rrugëve të pluhurosura, rrugë të shkatërruara tërësisht prej sulmeve izraelite dhe njerëz që po vdesin urie. Ky është përshkrimi i Jabalyas-it, qytet në Gazën Veriore, prej shefit të shërbimeve të emergjencave në rajon, raporton televizioni amerikan CNN-i.

“Ju mund t’i shihni shenjat e urisë te njerëzit në Gazën Veriore”, ka thënë Fares Afana, shef i shërbimeve të emergjencës në Gazën Veriore në një intervistë telefonike për televizionin CNN. “Forcat izraelite po shkatërrojnë gjithçka që paraqet jetë ose shenjë jete”

Afana i ka thënë CNN-it se ai dhe kolegët kanë mbledhur trupa të palestinezëve të vrarë në Gazën veriore, me disa prej trupave me shenja se ishin shqyer prej kafshëve, gjë që e ka bërë më të vështirë procesin e identifikimit të viktimave.

“Qentë endacakë, të cilët janë të uritur, po i hanë ato kufoma në rrugë… kjo na e vështirëson identifikimin e tyre”, ka thënë ai.

Ai ka ndarë një fotografi për televizionin CNN ku shihen mbetjet e një djaloshi, për të cilin ka thënë se ishte ngrënë nga qentë endacakë.

Afana ka thënë se janë “mijëra fëmijë” dhe gra shtatzëna që ndodhen në rajonin e rrethuar, ku ushtria izraelite ka kryer operacione tokësore dhe ajrore në tri lagje gjatë dymbëdhjetë ditëve të kaluara.

Forcat Izraelite të Mbrojtjes(IDF) kanë thënë se po sulmojnë militantët e “Hamasit” që kanë rikthyer praninë e tyre në zonë.