Shefi i karabinierëve italianë në takim me kryeprokurorin Isufaj

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, së bashku me prokurorët nga Departamenti për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar, Valdet Gashi, Fatos Ajvazi dhe Milot Krasniqi, priti të martën në një takim pune përfaqësuesit e lartë të karabinierëve italianë nga Komanda Kundër Falsifikimit të Parave me seli në Romë, Gianluca Vitagliano dhe Pierluigi Ferri.
Gjatë takimit, i cili është zhvilluar në kuadër të programit “PERICLES”, u diskutua për angazhimin e ndërsjellë për të vazhduar bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të kriminalitetit transnacional, në veçanti të veprave penale që lidhen me falsifikimin e parave në valutën euro.
Kryeprokurori Blerim Isufaj shprehu mirënjohjen për ndihmën e vazhdueshme që autoritetet italiane dhe karabinierët në veçanti kanë ofruar për Prokurorinë Speciale.
Gianluca Vitagliano dhe z. Pierluigi Ferri ritheksuan rëndësinë e bashkëpunimit dhe përkushtimin për të mbështetur Prokurorinë Speciale në luftën kundër krimit financiar dhe korrupsionit.