75 Mall Live Search
22:56 / E Martë, 24 Qershor 2025 / Burim

Shefi i NATO-s lavdëron Trump-n: Vendimi juaj ishte vendimtar në Iran, bëtë diçka që askush tjetër nuk guxoi

Pak më parë, gjatë rrugës për në një samit të NATO-s në Holandë, Trump postoi një mesazh që mori nga sekretari i përgjithshëm i aleancës, Mark Rutte.

Sipas mediave të huaja, NATO ka konfirmuar se mesazhi është i vërtetë, por nuk ka thënë nëse Rutte kishte për qëllim që ai të tërhiqte një audiencë në mbarë botën.

Në mesazhin e tij të mbushur plot lajka për Presidentin e SHBA, Rutte i shkruan Trump se veprimi i tij në Iran ishte vendimtar dhe i jashtëzakonshëm, një veprim që askush tjetër sipas tij, nuk guxoi ta bënte.

“I dashur Donald,” shkruan ai, “veprimi juaj vendimtar në Iran… ishte vërtet i jashtëzakonshëm dhe diçka që askush tjetër nuk guxoi ta bënte.”

Shefi i NATO-s ‘lajka’ Trump-it: Vendimi juaj ishte vendimtar

“Po fluturoni drejt një tjetër suksesi të madh në Hagë”, vazhdon Rutte, duke iu referuar pritjes që anëtarët e NATO-s do të bien dakord të arrijnë brenda një dekade, një objektiv për të shpenzuar 5% të PBB-së së tyre për mbrojtje dhe siguri.

“Do të arrini diçka që asnjë president amerikan nuk mund ta bënte për dekada të tëra”, shton ai, shkruan A2 CNN.

Kujtojmë se mesnatën e djeshme u arrit një armëpushim mes Izraelit dhe Iranit, pas rreth 12 ditësh luftime.