21:57 / E Hënë, 23 Tetor 2023 / Gj. Sh

Shefja e UNMIK-ut: Të mbahen përgjegjës autorët për sulmin e 24 shtatorit

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara po diskuton raportin e ri gjashtëmujor për situatën në Kosovë, i cili përfshinë periudhën nga 19 marsi deri më 18 shtator 2023.

Shefja e Misionit te Kombeve të Bashkuara në Kosovë Caroline Ziadeh, në fjalën e saj, ka folur rreth agresionit të Serbisë në Kosovë të datës 24 shtator, ku u vra polici Afrim Bunjaku.

Ajo gjatë fjalimit të saj tha se hetimet janë duke vazhduar.

“Është mundësi e mirë që nëpërmjet hetimeve të faktohen dhe dokumentohet ngjarja dhe të mbahet përgjegjës autorët”, tha shefja e UNMIK-ut Caroline Ziadeh.

“UNMIK-u bashkë me organizatat e tjera e ka dënuar incidentin tragjik dhe humbjen e jetëve”, theksoi ajo.

“Atë ditë policia e Kosovës dhe elementet e armatosura rëndë u përfshijnë në shkëmbimin e zjarrit, që rezultoi me katër të vdekur dhe një numër të arrestuar”, shtoi e para e misionit të OKB-së në Kosovë.

“Policia e Kosovës, ka konfiskuar një numër të automjeteve dhe të armëve”, tha Ziadeh.

Pas Ziadeh, fjalën në mbledhjen që po mbahet në New York e ka marrë kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, e cila ka folur “për gjendjen e vështirë të serbëve në Kosovë e Metohi”.

Sipas saj, shumë serbë po përballen me arrestime e ndjekje.

Bërnabiq vlerësoi se situata në Kosovë është rënduar sidomos në dy vjetët e fundit.

“Situata është bërë aq e rëndë sa duhet bërë përpjekje për ta kuptuar jo vetëm si politikanë, por si qenie njerëzore”.

Ajo kërkoi që nga kjo mbledhje “së paku t’iu sigurohet një grimë shprese atyre që jetojnë në Kosovë. “Së paku një grimë shprese që stabiliteti e paqja afatgjate janë në fakt të mundshme”.

Në këtë takim të Këshillit të Sigurimit, Kosovën e përfaqëson presidentja Vjosa Osmani. Ajo pritet të flasë për zhvillimet politike dhe të sigurisë në Kosovë, pas sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës, më 24 shtator, njofton Presidenca.

Bëhet e ditur se, Osmani thuhet se do të flasë edhe për përkushtimin e institucioneve të Republikës për paqe, siguri dhe stabilitet afatgjatë në rajon, si dhe për bashkëpunimin e ngushtë me aleatë e partnerë të Kosovës.