15:54 / E Martë, 23 Prill 2019 / indeksADMonline

Shembja e pllakës së objektit në Prishtinë, nisin hetimet

Mbrëmë, në rrugën “Elez Berisha” në Zonë Industriale, është shembur një pjesë e pllakës së një objekti në ndërtim e sipër, me leje ndërtimore.

Inspektori i zonës ka dalë në vendin e ngjarjes dhe e ka konstatuar se në proces të betonimit, është shembur një pjesë e pllakës së katit të parë.

Drejtori i Inspekcionit në Komunën e Prishtinës Adonis Tahiri ka thënë se me procesverbal, pala është obliguar që menjëherë ta sigurojë vendpunishten dhe hapësirën përreth duke i larguar pjesët e dëmtuara.

“Gjithashtu, pala nuk mund të vazhdojë me punët sipas lejes ndërtimore, pa e sjellë në Drejtorinë e Inspekcionit raportin e stabilitetit të ndërtesës. Procesverbali me konstatimin dhe masat e ndërmarra është përcjellë në Urbanizëm për masa shtesë, si dhe në Policinë e Kosovës tek hetuesit e rastit. Për çdo vendim të ri, do të jeni të informuar”, ka deklaruar Tahiri./Indeksonline/