75 Mall Live Search
20:14 / E Premte, 10 Tetor 2025 / S Z

Shembull që duhet ndjekur, kirurgu kosovar i specializuar në Gjermani rikthehet për të ndihmuar pacientët kosovarë

Kirurgu kosovar, Fatmir Imeraj, i cili, pas studimeve në Kosovë, specializoi kirurgjinë e përgjithshme dhe viscerale në Gjermani, është një ndër shembujt më frymëzues të profesionistëve kosovarë, që pas studimeve jashtë vendit, vazhdojnë të japin kontribut për Kosovën.

Imeraj, i cili vazhdoi specializimin në Gjermani, në fushën e kirurgjisë abdominale, fitoi kështu përvojë të gjerë në trajtimin e sëmundjeve me metoda moderne minimale invazive.   

Në një intervistë për “Indeksonline” Imeraj flet për përvojën e tij disa vjeçare si kirurg, teksa thotë se ka një ndjenjë të veçantë sa herë është në Kosovë dhe trajton pacientët kosovarë.

“Pacienti është pacient, pa marrë parasysh nga vjen. Por ndjenja është krejt tjetër kur jemi në vendin tonë, pranë njerëzve tanë. Aty ku kemi lindur e jemi rritur, është kënaqësi e veçantë të aplikojmë atë që kemi mësuar në shtetet perëndimore”, tha Imeraj.

Sipas Imerajt, dallimi mes sistemit shëndetësor në Gjermani dhe në Kosovë qëndron kryesisht tek infrastruktura dhe metodat diagnostikuese, por ai beson se me përpjekje të përbashkëta, mjekësia kosovare mund të përparojë shumë.

“Nëse krijohen kushtet, me shumë kënaqësi do të aplikojmë metodat minimale invazive edhe në spitalet tona. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me kolegët në QKUK dhe spitalet rajonale, t’u demonstrojmë këto metoda dhe të punojmë bashkë për pacientët tanë,” deklaron ai.

Imeraj tregon se çdo herë që vjen në Kosovë ndjen një emocion të veçantë.

“Kosova është vendi ku na flen shpirti. Sado vite të jetosh jashtë, ndjenja që ke kur zbret në aeroportin ‘Adem Jashari’ është e papërshkrueshme. Ne jemi të lidhur me këtë vend dhe e ndjejmë detyrë që të japim kontributin tonë për të”, thotë ai.

Përveç punës në Gjermani, ai shpesh ndihmon edhe pacientë nga Kosova që kërkojnë trajtim jashtë vendit, duke i orientuar dhe ndihmuar në procesin e akomodimit dhe trajtimit.

Me profesionalizëm, përkushtim dhe dashuri për vendin e tij, Fatmir Imeraj përfaqëson një brez të ri mjekësh që ndërthurin përvojën perëndimore me dëshirën për zhvillimin e sistemit shëndetësor në Kosovë.

Megjithëse shkoi në Gjermani për t’u avansuar në karrierë, endërr e Imerajt mbeti gjithmonë kthimi në atdhe.

“Ëndrra ime gjithmonë ka qenë të kthehem dhe të kontribuoj për njerëzit e mi”, thotë Imeraj./Indeksonline/