Shembull solidariteti në xhaminë “Bedri Kamberi”/ 223 pako ushqimore për familjet në nevojë gjatë Ramazanit (Video)
Një aksion humanitar është realizuar mesditën e së mërkurës, në xhaminë “Bedri Kamberi”, në Prishtinë, ku janë shpërndarë 223 pako ushqimore dhe higjienike për familjet në nevojë.
Imami i kësaj xhamie, Labinot Maliqi, bëri të ditur se ky aktivitet u organizua në kuadër të muajit të shenjtë të Ramazanit, transmeton IndeksOnline.
Pakot janë donacion nga Xhamia Shqiptare në Sydney në Australi, të cilët kanë kontribuar për të ndihmuar familjet shqiptare në nevojë.
Sipas Maliqit, pakot përmbajnë produkte bazike ushqimore dhe higjienike dhe janë destinuar për familje që përballen me vështirësi ekonomike.
Familjet përfituese janë përzgjedhur nga disa organizata dhe kategori të ndryshme sociale, përfshirë Down Syndrome Kosova, shoqatën e autizmit, invalidët e luftës, veteranët, shoqatën e të verbërve si dhe familje të tjera me nevoja të veçanta.
Maliqi përmendi faktin se përveç këtij aksioni, në xhami organizohen aktivitete të shumta humanitare gjatë gjithë vitit.
Ndërkohë, gjatë Ramazanit realizohen edhe dy aktivitete kryesore: shtrimi i iftareve çdo ditë gjatë gjithë muajit, një traditë që tashmë po zhvillohet për të nëntin vit me radhë, si dhe shpërndarja e pakove ushqimore për familjet në nevojë./IndeksOnline/

