Shemsi Elezi denoncon shpifjet dhe dhunën në Autoritetin e Konkurrencës (Dokumente)

Zyrtari i Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës, Shemsi Elezi, ka reaguar ashpër ndaj, siç i cilëson ai, shpifjeve dhe veprimeve të padrejta ndaj tij nga dy zyrtarë të lartë të institucionit, përkatësisht kryetarja Neime Binaku-Isufi dhe drejtori i përgjithshëm Selajdin Beqa.
Në një reagim publik, Elezi ka bërë të ditur se më 29 nëntor 2023 është sulmuar fizikisht nga Beqa brenda hapësirave të Autoritetit të Konkurrencës, ndërkohë që ishte në orarin e punës. Ai thekson se ka ndjekur të gjitha rrugët ligjore për këtë rast dhe tashmë Prokuroria Themelore ka ngritur aktakuzë ndaj Selajdin Beqës për sulm fizik me lëndime trupore.
“Pavarësisht aktakuzës, Beqa vazhdon të mbajë pozitën e tij në kundërshtim me ligjin, pasi nuk është pezulluar nga puna, siç e përcakton neni 69 i Ligjit për zyrtarët publikë”, ka deklaruar Elezi.
Ai gjithashtu ka akuzuar kryetaren e Autoritetit të Konkurrencës, Binaku-Isufi, për mbështetje ndaj Beqës dhe për përpjekje për largimin e tij nga shërbimi civil, duke shtuar se të gjitha rastet i ka fituar në institucionet përkatëse, përfshirë Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës (KPMSHCK), Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit (APK) dhe Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP).
Sipas Elezit, dokumentet zyrtare të nxjerra nga këto institucione dëshmojnë se shpifjet dhe veprimet kundër tij nuk kanë bazë ligjore dhe se “e vërteta nuk mund të fshihet përballë manipulimeve”.
Ai ka bërë thirrje për veprime të menjëhershme institucionale për ndalimin e shkeljeve dhe abuzimeve brenda Autoritetit të Konkurrencës./IndeksOnline/


