Shëndetësia në grevë, MSH thotë se me buxhetin 2019 ka rritje pagash për mjekët
Shëndetësia kosovare ka hyrë në grevë 24-orëshe që nga dita e sotme.
Kjo grevë po bëhet për shkak të pakënaqësive nga mjeket lidhur me pagat dhe kushtet në të cilat ata punojnë, transmeton Indeksonline.
Lidhur me këtë greve, sapo ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë përmes një kumtese zyrtare për media.
Në këtë komunikatë thuhet se MSH po punon në Projektligjin për pagat dhe se pret që të miratohet buxheti 2019 në mënyre që t’i hapet rruga për kalim në Kuvend këtij projektligji.

“Ministria e Shëndetësisë po e përcjell me vëmendje grevën e punonjësve shëndetësor dhe gjatë këtij viti ka punuar për kërkesat e tyre. Për këtë qëllim, është punuar në Projektligjin për pagat në sektorin publik, të cilin e ka miratuar Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të njëjtin e ka dërguar në Kuvend. Tani, MSh pret të miratohet buxheti për vitin 2019 dhe t’i hapet rruga për kalim në Kuvend edhe Projektligjit për pagat në sektorin publik”, thuhet në reagim.
Derisa, kanë theksuar se me këtë buxhet është paraparë rritja e pagave në sektorin shëndetësore.
“Me buxhetin për vitin 2019 parashihet rritja e pagave në sektorin shëndetësor. Krahas angazhimeve të tjera, në këto momente duhet të mendojmë dhe të kujdesemi edhe për gjendjen dhe trajtimin korrekt të pacientëve tanë, duke u angazhuar njëkohësisht që të sigurohet më e mira edhe për profesionistët shëndetësor të gjitha niveleve. MSh konsideron se të gjitha problemet mund të zgjidhen përmes bashkëpunimit dhe dialogut social”, thuhet mes të tjerash në këtë komunikatë./Indeksonline/