11:15 / E Mërkurë, 17 Gusht 2022 / B O

Shëndetësia në Kosovë në ngërç të madh, ministri Latifi mbanë ligjëratë në Austri!

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi po vazhdon vizitën në Austri.

Në kohën kur Shëndetësia në Kosovë nuk po sheh përparim në asnjë dimension, ministri Latifi mbajti një ligjëratë në një nga vendet ku Shëndetësia është e zhvilluar në nivel të lartë.

Në ditën e dytë të Kongresit Botëror të Kirurgjisë që po mbahet në Vjenë të Austrisë, Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Dr. Rifat Latifi, mbajti ligjëratën “Menaxhimi i lëndimeve me potencial për fatalitet dhe traumave të zemrës”.
Në këtë ligjëratë, që ishte e ilustruar me video, ai foli për menaxhimin e gjendjes kaotike që krijohet në emergjencë gjatë traumave të ndryshme dhe posaçërisht se si duhet të ndahet i gjithë procesi I menaxhimit në segmente të veçanta si në vendet me sisteme të zhvilluara shëndetësore, ashtu edhe në vendet ku mungojnë resurset e duhura si infrastruktura, përgatitja e stafit të traumës, sikurse në Kosovë.
Ai gjatë ligjëratës ka ndarë edhe përvojat nga ekipi i tij në menaxhimin e traumave gjatë punës si kirurg, dhe ka njoftuar se një nga Qendrat e par të Ekselencës Klinike që do të krijohet nnë Kosovë është Qendra e Traumës, si nismëtare e sistemit të traumës në Kosovë, së bashku me programin e sub-specializimeve në këtë fushë dhe në kujdesin intensiv kirurgjik.
Ministri Latifi tha se përmes krijimit të sistemit të traumës do të standardizohet kujdesi i gjithë lëndimeve traumatike në tërë vendin dhe do të ngrihen:

  1. Aftësitë klinike të ekipit të traumës;
  2. Produktiviteti Akademik: Synohet trajnimi i gjeneratës së ardhshme të kirurgëve të traumës, që do të kenë një gamë të gjerë interesash akademike dhe kërkimore;
  3. Aftësitë arsimore dhe edukative: Kirurgët e traumës do të marrin pjesë në mësimdhënie dhe mentorim të specializantëve dhe studentëve të mjekësisë, përmes prezantimeve edhe në mjedise klinike; dhe
  4. Zhvillimi i lidershipit: Trajnimet shtesë me sub-spcializime për të zhvilluar gjeneratën tonë të ardhshme të udhëheqësve në kirurgji dhe lëmin e traumës.
    Ministri Latifi ka shpjeguar se krijimi i sistemit të traumës kërkon një organizim modern të kapaciteteve njerëzore duke përfshirë stafin e Mjekësisë së Urgjencës, infrastrukturën dhe modalitetet e komunikimit për kujdesin para-spitalor, transportin dhe kujdesin brenda spitalor, përcaktimin e nivelit të qendrave të Traumës bazuar në konceptin e Kolegjit Amerikan të Kirurgëve dhe trajnimin e stafit të traumës dhe urgjencës, si dhe stafit të kujdesit intensiv kritik (si infermierët, ashtu edhe mjekët).
    “Kjo do të na ndihmojë jashtëzakonisht për të hartuar ri-organizimin/krijimin e shërbimeve të Qendrës së Urgjencës dhe Traumës. Së fundi, modalitetet e akreditimit duhet të përfshihen në këtë vlerësim të Sistemit të ardhshëm të Traumës dhe Emergjencave në Kosovë”, theksoi ai./Indeksonline/