13:16 / E Enjte, 25 Tetor 2018 / indeksADMonline

Shënohet Dita botërore e anomalisë së boshtit kurrizor

Me rastin e Ditës botërore të Spina Bifida, e njohur si anomalia e boshtit kurrizor, sot u mbajt një aktivitet sensibilizues në Prishtinë, ku janë shpërndarë fletëpalosje për qytetarët në mënyrë që ata të vetëdijesohen për këtë sëmundje.

Valbona Stavileci, nefrologe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka thënë se tash e shtate vjet shënohet ky aktivitet, në mënyrë që qytetarët të jenë të vetëdijshëm për trajtimin e kësaj sëmundjeje.

“Spina Bifida është defekt i lindur i boshtit kurrizor, që detektohen në shtatzëni. Paraqet mos mbylljen e plotë të unazave të boshtit kurrizor dhe si pasojë ka defekt në palcën kurrizore dhe nervat e saj”, ka treguar ajo.

Neonatologia Mirlinda Shala kërkon përkrahje më të madh institucionale për këtë sëmundje, pasi ka kosto të lartë dhe mungesë vetëdijesimi se ekzistojnë kuadrot për trajtimin e kësaj gjendje.

Ndërsa, Sami Leku nga qyteti i Drenasit ka treguar se vajza e tij tash e shtatë vite ka këtë sëmundje, por fal mjekëve dhe kontrolleve që i ka bërë jashtë shtetit, tash është në gjendje më të mirë shëndetësore.