12:31 / E Hënë, 20 Mars 2023 / mp

Shërbimi diplomatik nuk i marrin shtesat, shkaktohen pakënaqësi

Me fillim të këtij muaji janë ekzekutuar pagat për shërbyesit civil me ligjin e ri të pagave me normën e koeficientit prej 105 euro.

Ligji ka krijuar pakënaqësi të madhe madje kategoria më e “goditur” mbetet ajo e personelit të jashtëm të cilët pagat e muajit shkurt i kanë marrë të përgjysmuara pasi që nuk iu janë llogaritur edhe shtesat.

Një punonjës i shërbimit diplomatik jashtë Kosovës, ka treguar se para se të hy ligji në fuqi e ka marrë pagën 2800 euro, ndërsa me hyrjen në fuqi të ligjit atij i ka dal paga 928 euro pa shtesa.

Ky burim ka treguar se nuk kanë ndonjë informacion se sa do të jetë vlera e shtesave që do ti marrin pasi që sipas tij ka mundësi që shtesat e muajit shkurt dhe mars ti marrin në muajin prill.

Ky burim po ashtu ka thënë se ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e ka caktuar zyrtarin Vigan Berisha i cili do të bëjë kalkulimet e shtesave dhe pagesave për shërbimet e jashtëm. Personi i cili sipas këtij burimi ka dyshime që nuk njohuri fare rreth misionit diplomatik. “Dyshoj që do të vendosen drejtë shtesat nga një person që kam dyshime që nuk ka udhëtuar në asnjë shtet dhe nuk ka njohuri fare se si punohet në misione diplomatike. Ai nuk e di standardet e jetesës të shtete dhe si pasoj si mund të i kalkuloj drejtë shtesat për stafin dhe diplomatët”, tha ky burim.

Ndërsa nga ministria e jashtme nuk kanë kthyer përgjigje lidhur me pyetjet se kur do të ekzekutohen shtesat për shërbimin e jashtëm.

“IndeksOnline” e ka siguruar vendimin që ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schwarz, e  ka caktuar Vigan Berishën, udhëheqës i njësisë për menaxhimin burimeve njerëzore. Berisha sipas vendimit që e posedon “IndeksOnline”, është përgjegjës për hartimin e draftit fillestar të projekt Rregullores për Kompensimin e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës, që ushtrojnë detyrën jashtë vendit.

Zyrtari përgjegjës nga pika 1 e këtij vendimi, ka për detyrë që në afat prej pesëmbëdhjetë ditësh të hartojë draftin fillestar të projekt Rregullores për Kompensimin e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës, që ushtrojnë detyrën jashtë vendit.

Zyrtari Përgjegjës harton draftin fillestar të projekt Rregullores duke u bazuar në nenin 39, të ligjit Nr.08/-196 për pagave në sektorin Publik, dhe në përputhje me standardet e hartimit të akteve ligjore nga Qeveria dhe legjislacioni tjetër në fuqi. /IndeksOnline/