Shërbimi i Ortoprotetikës në QKUK rekruton 8 punëtorë të rinj

Shërbimi i Ortoprotetikës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka rekrutuar punëtorë të rinj, pas një kohe të gjatë, e cila me staf të kufizuar është përpjekur për 18 vjet rresht të mbulojë nevojat dhe kërkesat e pacientëve.
Konkursi i fundit ishte hapur në vitin 2004 dhe ishte pranuar vetëm 1 person.
Sipas kërkesës së Ortoprotetikës, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka pranuar 8 teknikë për të mbuluar të gjitha pozitat vakante dhe me qëllim që pritjet të reduktohen e cilësia e shërbimeve mjekësore të rritet.
Në këtë kuptim, me synim që të përmbushen kërkesat e qytetarëve dhe që asnjë pacient të mos kthehet pa marrë shërbimin, SHSKUK, gjithashtu, ka furnizuar ortoprotetikën me material shpenzues për tërë vitin.
Shërbimi i Ortoprotetikës merret me prodhimin e protezave të gjymtyrëve të poshtme, prodhimin e ortozave të ndryshme (mjet ortopedik që siguron korrigjimin e deformitetit në mbështetje të humbjes së funksionit të këmbës apo dorës) korsetave për rregullimin e deformimeve të shtyllës kurrizore dhe këpucë ortopedike, gjersa trajton të gjithë pacientët me aftësi të kufizuara, pa dallim moshe.