75 Mall Live Search
21:26 / E Mërkurë, 22 Prill 2020 / indeksADMonline

Sherifi: Kushdo që ka dilema t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, gjithmonë ka të “kënaqur” dhe të “pakënaqur”

Sekretari i përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, përmes një shkrim të tij në rrjetin social “Facebook”, ka komentuar lidhur me zhvillimet e fundit në vend, konkretisht rreth gjithë atyre që sot po e interpretojnë Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Sherifi ka shkruar se sot kemi një kushtetutë dhe shumë interpretues, të varur e të pavarur, partiak dhe jo partiak, të kënaqurit e djeshëm që shndërrohen në të pakënaqurit e sotëm dhe anasjelltas, por si pas tij, të gjithë të lartcekurit pa përjashtim i kanë pranuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe asgjë nuk mund të ndryshoj derisa nuk ndryshon Kushtetuta.

Postimi i plotë i Sherifit:

“Një Kushtetutë dhe shumë interpretues të saj! Të “varur” e të “pavarur”! Partiak dhe jo partiak. Gjithashtu një Gjykatë Kushtetuese dhe shumë aktgjykime deri më sot. Asnjë aktgjykim nuk është pëlqyer nga të gjithë, por ka pasur të “kënaqurit” dhe të “pakënaqurit”. Dhe si me rrotacion, të “kënaqurit” e djeshëm shndërrohen në të “pakënaqurit” e sotëm, dhe, anasjelltas, të “pakënaqurit” e djeshëm bëhen të “kënaqurit” e sotëm!

Sido që të jetë, e gjithë kjo punë ka vetëm një emërues të përbashkët: qofshin të “kënaqurit” apo të “pakënaqurit”, të gjithë pa përjashtim i kanë pranuar vendimet e saj! As sot nuk ka ndryshuar asgjë dhe nuk mund të ndryshojë asgjë përderisa nuk ndryshon Kushtetuta!

Kushdo që merr drejtësinë në duar të veta duhet të jetë i gatshëm të merr përgjegjësinë për veprimet e veta! Prandaj, le të vazhdojmë traditën që kemi ndërtuar së bashku: ata që kanë dilema se një vendim është në kundërshtim me Kushtetutën, le t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese! Cilido qoftë vendimi i saj, si edhe më parë, do të ketë të “kënaqur” dhe të  “pakënaqur”…Pa përjashtuar mundësinë që në të ardhmen të ndërrohen përjetimet!”