Sherifi: Në vend të festës, sot kemi arsye të protestojmë
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi në vend të urimit të festës së 28 Nëntorit, ka folur në lidhje me procesin gjyqësor kundër Sylejman Selimit dhe të tjerëve të quajtur Drenica 2.
Përmes një statusi në Facebook, Sherifi thotë se ish-kryetari i Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons ka dënua të përfshirët në rastin Drenica 2, në bazë të paragjykimeve, transmeton Indeksonline.
Për këtë, ai më tej thotë se përveç festës, Kosova sot ka arsye edhe të protestojë kundër gjykimeve të tilla.
Ja postimi i tij:
Në vend të urimit të festës së 28 Nëntorit!
Ka disa ditë që publiku i brendshëm dhe ndërkombëtar është njoftuar gjerësisht mbi skandalet e EULEX-it (të cilat i solli në pah ish-kryetari i Gjyqtarëve të EULEX-it Malcolm Simmons gjatë një interviste për të përditshmen francze Le Monde), që kanë ndodhur gjatë ushtrimit të pushtetit të tyre gjyqësor në Kosovë. Në këtë shkrim do t’i shpreh pikëpamjet e mia mbi skandalin lidhur me procesin gjyqësor kundër Sylejman Selimit dhe të tjerëve të quajtur Drenica 2.
Në vendet demokratike të BE-së (nga ku edhe vjen misioni i EULEX-it), gjyqësori ka për qëllim të gjejë të vërtetën dhe asgjë tjetër përpos të vërtetës. Në rrëfimin e z. Malcom Simmons, të akuzuarit nga goja e anëtarëve të trupit gjykues jane quajtur “kafshë”, ndërsa nga sytë e tyre janë parë si “një garancion për të gjetur punë kudo në BE po t’i dënonin ata”.
Duke i ditur këto fakte, forcohet dyshimi se dënimi i tyre ka qenë rezultat i paragjykimeve që trupi gjykues në krye me gjykatësin Dariusz Sielicki ka pasur ndaj të akuzuarve. Madje mund të shkohet edhe më tej, se të akuzuarit në rastin Drenica 2 kanë qenë të dënuar para se procesi gjyqësor kundër tyre të kishte filluar, dhe se procesi të ketë qenë vetëm shfaqje teatrale. Ky dyshim në fakt rrjedh natyrshëm, sepse ashtu sikur e thotë vet z. Malcolm Simmons janë naiv ata që nuk bëjnë.
Nga sa u tha më lartë shihet qartazi se kemi të bëjmë me shkelje të standardit të lartëpërmendur, për të cilin në vendet e BE-së nuk bëjnë kompromis. Pse?
Sepse e vërteta është e pastër, sepse e vërteta nuk ka dyshime, po të kishte vetëm një fije dyshimi, nuk do të ishte më e vertetë!
Po të zbulohej një skandal i tillë në njërin nga vendet e BE-së, një aktgjykim i tillë padyshim se do të anulohej dhe të dënuarit do të liroheshin menjëherë, në mënyrë që t’i hapej rruga një rigjykimi nga një tjetër trup gjykues i drejtë dhe i paanshëm, i cili rastit do t’i qasej bazuar vetëm në prova dhe pa paparagjykime, e jo mbi paragjykime dhe interesa personale si prova të vetme!
Faktet e këtij skandali shkojnë përtej shkeljes së standardit të një drejtësie që ka për detyrë gjetjen e së vërtetës, shkojnë deri te shkelja brutale e një të drejte themelore që garantohet me kushtetutë, përkatësisht me nenin 31, ku në mënyrë të qartë thuhet se: “çdokujt i garantohet një gjykim i drejtë dhe i paanshëm”.
Prandaj, më 28 Nëntor të këtij viti, aq sa kemi arsye për të festuar, kemi arsye për t’u indinjuar dhe për të protestuar kundër gjykimeve të tilla, për të cilat ka dyshime të bazuara se janë rezultat i paragjykimeve raciste!