75 Mall Live Search
13:02 / E Premte, 19 Nëntor 2021 / B O

Shërim vetvetiu nga HIV, ndodh rasti i dytë në botë

Një grua nga Argjentina është bërë personi i dytë në botë që mund të jetë shëruar në mënyrë të natyrshme nga HIV.

Sipas autorëve të një studimi, virusi duket se është zhdukur prej trupit të saj, gjë që e bën atë personin e dytë në botë të shëruar vetvetiu.

Mathias Lichterfeld, nga Instituti Ragonit në Spitalin e Përgjithshëm të Masaçusets, MIT dhe Harvardit, njëkohësisht dhe një prej autorëve të studimit, thotë se ishin në gjendje të analizonin 1.2 miliardë qelizat e pacientit për të parë nëse kishte ende gjurmë të HIV.

“Ne kishim gjithashtu mundësinë të shihnim placentën. Ajo lindi vitin e shkuar dhe analizuam indet e placentës dhe pamë rreth 500 milionë qeliza nga placenta. Por nuk gjetëm ndonjë gjurmë të HIV”, tha Lichterfeld.

Lichterfeld gjithashtu shtoi se “HIV është zhdukur plotësisht nga sistemi i saj” dhe se “më parë nuk besonim se mund të ekzistonin kësi lloj pacientësh. Kështu që, tani jëmi në një pozicion ku mund të identifikojmë dhe mësojmë më shumë nga këta pacientë për të kuptuar sesi është e mundur të arrihet në një rezultat kaq të jashtëzakonshëm”.