Shërimi i kosovarëve jashtë vendit – Zemaj: S’ka pasur vullnet politik, tani po!

Kosova harxhon miliona euro jashtë vendit për shërbime mjekësore që mungojnë në vend.
Ardhja e disa mjekëve nga Italia për të ndihmuar Kosovën në luftën kundër Covidit-19 është një praktikë që Ministria e Shëndetësisë dëshiron ta funksionalizojë edhe për shërbimet e tjera mjekësore.
“Pandemia Covid-19 na mori tërë angazhimin tonë por, …aktivisht po merrem me idenë e prurjes nga jashtë dhe aftësimit të shërbimeve mjekësore” – ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj.
“Janë tre nivele të kësaj pune, ku ofrojmë bashkëpunim që të kemi mjekë nga jashtë të cilët I ofrojnë këto shërbime dhe njëherit jam duke tentuar që kur ata vijnë, të shërbejnë dhe të i trajnojnë mjekët tanë. Ne nuk kemi nevojë që ato shërbime të I mungojnë shëndetësisë së Kosovës e të merren jashtë vendit. Kjo është një pikë kryesore e programit tim, për ta eliminuar këtë defekt në shëndetësinë e Kosovës” – ka deklaruar Zemaj për “Indeks-Intervistë”.
Zemaj tregon se ka filluar implementimin e idesë së prurjeve nga jashtë dhe aftësimit të shërbimeve mjekësore në Kosovë me institutin për Nënë dhe Fëmijë.
“Pak kohë më parë kam krijuar institutin për nënë dhe fëmijë, ku do të ofrohen shërbime të cilat I mungojnë institucionit tonë publik. Për këtë nënat dhe motrat tona shkonin në institucione private ose jashtë vendit.” – ka thënë Zemaj.
“Pjesa tjetër lidhet me krijimin e tre qendrave të reja invazive, të cilat eliminojnë defektet e sëmundjeve, sidomos këto që kanë të bëjnë me kardio. Pjesa tjetër lidhet me shërbimin e ri paliativ të cilin, e kam ambicie dhe synim që ta themeloj dhe t’ia ofroj qytetarëve të Kosovës. Për këto tre segmente neve na duhen dhe ekspertiza, na duhet dhe pjesa profesionale nga jashtë. Ajo cfarë mund të garantoj tani, e që jam në fazën e finalizimit është që, tek fusha e gjinekologjisë nuk do lejoj, për shkak të zbraztirave ligjore apo interesave të kaluara, ky shërbim të i mungojë nënave dhe motrave tona që mos ta marrin në Kosovë. Këtë do ta rregulloj shumë shpejt” – ka deklaruar Zemaj.
Përse Kosova nuk u vetëaftësua në shërbimet mjekësore deri më tani? Ministri Zemaj thotë se kjo ka ndodhë jo për shkak të joprofesionalizmit të stafit mjekësorë, por për shkak të interesave të ngushta politike.
“Kam identifikuar, fatkeqësisht dhe fatmirësisht ato ishin të identifikuara por që s’ka pasë vullnet dhe gatishmëri që shumica e këtyre të lejohen, apo të mundësohen, edhe pse kemi profesionistë goxha të avancuar që mund të japin këto shërbime, por sic duket, nga ngarkesat apo interesat tjera, këto shërbime jepen jashtë Kosovës. Shërbimet që lidhen me onkologjinë, leukeminë dhe disa sëmundje tjera të rënda janë pjesë e programit dhe punës tonë ditore për t’I përmirësuar dhe për t’I zgjidhur këto shërbime nga profesionistët tanë shëndetësorë” – ka deklaruar Zemaj.
Armend Zemaj ka marrë postin e ministrit të Shëndetësisë pas rrëzimit të qeverisë Kurti. /IndeksOnline/