09:30 / E Shtunë, 23 Maj 2020 / indeksADMonline

Sheshi me aromë lulesh, fëmijët llapjanë fitojnë nga shitja e “dremiqareve”

Ka më shumë se dy muaj prej kur qytetarët e vendit tonë po ballafaqohen me pandeminë COVID-19, një virus ky i ri që ka përfshirë botën.

Kjo gjendje ka ndikuar jo vetëm në aspektin shëndetësor, por edhe në atë ekonomik, ku më i godituri mbetet sektori privat, ndërsa shumë persona kanë humbur edhe vendin e punës. Si mjet i vetëm ekzistence për shumë familje, kanë mbetur rrugët e tjera alternative, ato të daljes në rrugë për të shitur gjëra.

Këtyre ditëve, në sheshin kryesor të Prishtinës, ka pasur shumë pak lëvizje, por janë disa fëmijë të cilët kanë thyer këtë heshtje, por edhe kanë zbukuruar e i kanë dhënë arome kësaj pjese dikur të zhurmshme. Por, ata kanë vetëm një hall, se si t’i shesin lulet që kanë mbledhur e mos të kthehen duar bosh në shtëpi.

IndeksOnline gjatë kësaj jave ka qëndruar në shesh, derisa ka rastisur tek këta të mitur, e të njëjtit kanë treguar se vijnë nga fshati Dumnicë i Podujevës për t’iu dalë sado pak në ndihmë prindërve të tyre të papunë.

Ata thonë se çdo pranverë dalin në livadhe për të mbledhur lule dremiqare, por që ky vit ishte më ndryshe për ta, për shkak të koronavirusit.

“Ka njerëz që i blejnë, kemi ardhë më taksi nga Podujeva. Vijmë çdo vit në këtë kohë, por tash është më ndryshe”, thotë njëri nga ta.

Një buqetë e këtyre luleve të mbledhura e dekoruara nga duart e këtyre fëmijëve, kushton vetëm 1 euro./IndeksOnline/