19:50 / E Shtunë, 07 Janar 2023 / MSH

Shifra frikësuese të zyrtarëve të lënduar në krye të detyrës, Policia e Kosovës akoma s’ka sigurim shëndetësor

Viti që lamë pas, për Policinë e Kosovës, ishte një vit mjaft sfidues.

Imer Zeqiri, kryetar i Sindikatës së Policëve të Kosovës, në një intervistë për Indeksonline ka thënë se ky vit i gjatë pati sfida për policët, të cilët u siguruan që të ketë rend dhe siguri në të gjtihë territorin e Republikës së Kosovës.

“Ka qenë vit sfidues. Në aspektin profesional kanë treguar profesionalizëm mjaft të lartë, ndërsa, në realitet jemi ballafaquar edhe me mungesa të tjera në përgjithësi për këtë vit, por edhe të trashëguara nga vitet tjera, si mjetet logjistike, qoftë nga ato elektronike, qoftë edhe nga veshmbathja e shumë gjëra të tjera” tha Zeqiri për Indeksonline.

Sipas tij, është tëjet sfiduese që të jesh institucioni i vetëm në vend që ofron siguri por vet nuk ka sigurim shëndetësor.

“Jemi polici që, me profesionalizmin që po tregojmë, mund të krahasohemi me policitë e vendeve më demokratike, kurse në anën tjetër nuk kemi sigurim shëndetësor. Policia e Kosovës është e themeluar që 23 vite dhe pa sigurim shëndetësor, them se jemi e vetmja në botë. Kjo është një sfidë dhe nevojë e madhe për policinë e Kosovës, sepse gjatë periudhës 23 vjeçare kemi 22 zyrtarë policorë që kanë humbur jetën në krye të detyrës, kemi mbi 400 zyrtarë policorë që janë dëmtuar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare dhe një pjesë e tyre kanë mbetur me invaliditet të përhershëm” tha ndër të tjerash Zeqiri.

Ai thotë se ka shumë faktorë që e bëjnë të domosdoshëm që Policia të ketë sigurim shëndetësor, shujta të paguara e sigurim të udhëtimit për ata që banojnë larg vendit të punës.

Në anën tjetër, këto nevoja të Policisë së Kosovës janë adresuar edhe në institucionet e vendit.

“Që një vit kemi adresuar tri kërkesa tek institucionet qeveritare, dy më herët të ministri i Punëve të Brendshme, dhe herën e fundit të njëjtën kërkesë për sigurim shëndetësor e kemi adresuar te Kryeministri, ministri i Financave dhe ministri i Punëve të Brendshme. Ende nuk kemi marrë asnjë përgjgije. Që një vit kërkojmë të bëjmë një sigurim shëndetësor alternativ” shtoi kryetari i Sindikatës.

Zeqiri bën të ditur se Sindikata ka kontaktuar me Byronë Kosovare të Sigurimeve, për të përpiluar një plan se si mund të bëhet sigurimi shëndetësor i Policisë. Të gjitha instruksionet dhe rekomandimet, Zeqiri thotë se i kanë prezantuar përpara ministrit Sveçla.

Ai shton se në vit janë kërkuar afro 5 milionë euro për t’i mbuluar këto kërkesa që do të shkonin për mbi 9 mijë pjesëtar të Policisë së Kosovës.

“Përpos që nuk kemi marrë përgjigje, ne nuk kemi as ndonjë sinjal pozitiv që do të na plotësohet kjo kërkesë… Biseda ka qenë mjaft transaprente [me ministrin Sveçla], ku i kemi shpalos të gjitha nevojat që ka Policia e Kosovës, ku e kemi analizuar në detaje çdo mungesë dhe çdo nevojë që e ka Policia e Kosovës, përveç sigurimit shëndetësore, dhe, për të gjitha, ministri ka thënë se është jashtëzakonisht i interesuar që këto kërkesa dhe këto nevoja t’i plotësojë. Po ashtu, ka thënë edhe për sigurimin shëndetësore por pa caktuar ndonjë afat kohor dhe pa dhënë ndonjë përgjigje konkrete deri më tani” tha Zeqiri.

Kryetari i Sindikatës ka folur edhe për paditë që zyrtarët policorë i kanë adresuar lidhur me shujtat dhe shpërblimet e një page ekuivalente në fundvit, të gjithë atyre që nuk kanë qenë të atakuar nga ndonjë masë disiplinore.

“Pjesëtarët e policisë, shumica prej tyre kanë dorëzuar padi në Gjykatën Themelore, secili në Komunën e vet, por një pjesë e tyre janë në Prishtinë, dhe procesi i padive, deri më tani, nga informacionet që kemi nga avoktatët, kanë filluar disa aktgjykime nga Gjykata Themelore e Prishtinës dhe kjo është njohur pjesërisht. Nuk është njohur e drejta e shujtës, por ëhstë njohur vlera e një page ekuivalente për fundvit. Avokati i Shtetit po i apelon këto vendime, por ende nuk keni një vendim të plotfuqishëm” tha Zeqiri.

Ai përfundoi duke thënë se Sindikata nuk synon të tërheqë presionin derisa të arrihet përmbushja e kërkesës së tyrë për sigurim shëndetësor dhe kërkesat e tjera.

Zeqiri falendëroi të gjithë policët që po bëjnë punë të palodhshme për ruajtjen e rendit dhe mirëqënies së qytetarëve, sidomos ata që po shërbejnë në veri të vendit./Indeksonline/